2017-04-01 18:34:00

Lutje, frymëzuar nga liturgjia e së Dielës V të Kreshmëve: " Erdhi koha e zgjimit!"


Erdh' koha e zgjimit!

E bukur është, o Zot

kjo afërsia jote.

E këndshme të kesh pranë

një Zot, si ti

prej mishi e prej gjaku!

 

S’je Zot prej guri

e as prej akulli!

Në zemrën tënde vlon,

çka vlon në zemrën tonë.

 

Ti e di ç’është miku

e e di ç’është loti

kur t’vjen një lajm i zi

e t’kumton mortin,

mortin e mikut

që aq e deshe.

e që u nis, pa kthim.

 

Janë Tuat, gëzimet tona,

Tuat dhe lotët.

Je krejt si ne, o Zot,

veç ne nuk jem’ si ti!

Ne shpesh zilitë e këqija

na ndajnë nga të tjerët

na mbyllin në varrin e vetvetes.

Ndërsa ti varret i hap

e i kthen të vdekurit në jetë.

 

Jepnae Zot edhe ne

një zemër, si zemra jote,

që të mund ta flakim rrasën

e shpellës ku na mbyll mëkati!

E të brohorasim në kor:

“Erdh' koha e zgjimit!".

 

Mjafton nji rreze e vetme

për t’na e ndritë rrugën

prej varrit të zi,

tek drita jote e pambarueme!”.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.