2017-04-01 09:00:00

I dërguari i Papës në Medjugorje: Françesku, i interesuar për përshpirtërinë popullore


I dërguari i Papës në Medjugorje, ku prej vjetësh vegimtarët dëshmojnë se iu duket Zoja e Bekuar, kremtoi javën e kaluar një meshë me besimtarët e mbledhur në kishën e Shën Jakut. “Ndodhemi në një vend ku vijnë shumë shtegtarë – tha imzot Henryk Hoser, kryeipeshkëv i Varshavë-Pragës. T’i lutemi të gjithë Nënës së Zotit, që të na i hapë zemrat dhe mendjet për Hirin Hyjnor, për mësimet e Kishës dhe për Fjalën e Zotit. Shpirti Shenjt është jeta jonë e ai është edhe shpirti i Kishës. Le të kërkojmë të vërtetën e Zotit e tonën”.

         Medjugorje njihet në të gjithë botën si vend i dukjeve të Zojës, por edhe si vend lutjeje. “Ati i Shenjtë – nënvizoi imzot Hoser – është shumë i interesuar për përshpirtërinë popullore të këtij vendi. Kjo është pjesë e misionit të tij: të vlerësojë baritorinë dhe të propozojë direktiva për t’u zbatuar në të ardhmen. Vij nga një vend (Polonia), që ka devocion të madh për Nënën e Zotit. Maria është Mbretëresha e Polonisë. Ju uroj që Maria të jetë Mbretëreshë e jetës suaj. Për momentin, mjaftojnë këto fjalë”, përfundoi ai, duke iu referuar pa koment polemikave, sipas të cilave, nuk është e vërtetë se në Medjugorje duket Zoja e Bekuar. Papa ka dërguar imzot Hoserin pikërisht për ta shqyrtuar çështjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.