2017-03-31 12:23:00

Shenjtorët e javës 2 - 9 prill


E diel 2 prill, Kisha katolike kremton të Dielën e 5-të e të fundit të kohës së Krezhmëve. Gjithnjë më 2 prill kalendari kishtar përkujton edhe Shën Vinçencin nga Paola, vetmitar, themelues i Urdhrit të Rregulltarëve të Vegjël dhe Shën Marina egjiptiane.

Po i afrohemi përfundimit të Krezhmëve e Kisha këtë të diele mediton mbi vdekjen e ringjalljen. Është gati një prelud i asaj që do të ndodhë gjatë Javës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, kur Kisha ri-jeton momentet themelore të historisë së shpëtimit a shëlbimit. Prandaj Ungjilli i kësaj së diele nga Gjoni (11,1-45) shtjellon temën pashkore. Vdekja e kthimi në jetë i Lazrit kumtojnë vdekjen e afërt dhe ngjalljen e Jezusit.

Të hënën më 3 prill, kalendari kishtar përkujton shën Sikstin I papë dhe shën Rikardin, ipeshkëv i Çiçesterit në Angli.

Të martën më 4 prill, kalendari kishtar përkujton shën Isidorin, ipeshkëv i Seviljes, doktor i Kishës dhe shën Benediktin Moro, françeskan.

Të mërkurën, më 5 prill, kalendari përkujton shën Vinçencin Ferrer, meshtar domenikan e shën Irenën, virgjër e martire.

Të enjten, më 6 prill, kalendari kishtar përkujton shën Rozën nga Viterbo, virgjër françeskane dhe shën Koletën Bolič, themeluese e klariseve të varfëra.

Të premten, më 7 prill, bie festa liturgjike e shën Gjon Pagëzuesit de La Sal, meshtar e shën Ermano Jozefit nga Këlni.

Të shtunën, më 8 prill, kalendari kishtar përkujton shën Dionisin Areopagit, shën Amanazin e të Lumin Klementin nga Osimo.

Të dielën e ardhshme më 9 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e Larit, që përkujton hyrjen solemne të Jezusit në Jerusalem dhe pritjen e hareshme me degë lari e ullinjsh nga turma e hebrenjve. Me të Diele të Larit a të Luleve, Kisha katolike fillon Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve. Liturgjia hyjnore e kësaj të diele përkujton hyrjen solemne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe historikun e mundimeve të Tij. Gjithnjë më 9 prill, kalendari kishtar përkujton edhe shën Dhimitrin e shën Liborin.








All the contents on this site are copyrighted ©.