2017-03-31 12:06:00

Drejt Pashkëve të Ngjalljes duke ndjekur Udhën e Kryqit


Drejt Pashkëve të Ngjalljes duke ndjekur Udhën e Kryqit, shtegun më të gjatë, udhën më të dhimbshme por më të frytshëm të dashurisë. Krezhmët na përgatisin shpirtërisht për kremtimin e Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit. Gjatë përgatitjes e ecjes sonë drejt Pashkëve, kreshmët na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë e pafund. Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët e lutjes, të agjërimit e të pendesës e të ecim gjurmëve të Mësuesit tonë Hyjnor, Jezusit.

Një shpirt të ri e një zemër të re – këtë gjatë Kreshmëve kërkojnë besimtarët me fjalët e Psalmit pendestar ‘Miserere’ , ‘Mëshirë’– duke u lutur: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar!”. Besimtari i vërtetë, i vetëdijshëm se është mëkatar para Zotit, dëshiron me gjithë vetveten – shpirt, zemër e trup – të meritojë mëshirën hyjnore që e bën krijesë të re dhe i kthen gëzimin e shpresën.

Një aspekt tjetër i përshpirtërisë së kohës së Kreshmëve, është ai që na kujton armët e pendesës e të betejës kundër shpirtit të së keqes. Çdo ditë, e posaçërisht në Kohën e Kreshmëve, i krishteri duhet të përballojë një luftë, si ajo që përballoi Krishtit në shkretëtirën e Judesë, ku për 40 ditë u tundua nga djalli; e pastaj në Gjetsemani, kur e mundi tundimin e mbramë, duke bërë deri në fund të fundit vullnetin e Atit Hyj Qiellor. Është një betejë shpirtërore, betejë kundër mëkatit e kundër shejtanit, zanafillë e shkak i çdo lloj mëkati.

Prej këndej besimtarët duhet të jenë vigjilentë e t’u kushtojnë vëmendje jo vetëm mëkateve të rënda e mortare, por edhe mëkateve më pak të rënda të cilat, në se nuk përfillen, mund të sjellin vdekjen. Kreshmët na kujtojnë se jeta e krishterë është betejë e pafund. Për ta përballuar, duhet të ngjeshim armët e lutjes, të agjërimit e të pendesës e të ecim gjurmëve të Jezusit.

Ndjekja e Krishtit i bën të krishterët dëshmitarë e apostuj të paqes, i ndihmon të kuptojnë më mirë se cila duhet të jetë përgjigja e krishterë ndaj dhunës që kërcënon paqen në familje e në botë. Sigurisht nuk është hakmarrja, nuk është urrejtja as ikja drejt një përshpirtërie të rreme. Përgjigja e atij që e ndjek Krishtin është të ecën në rrugën e zgjedhur nga Ai që, përballë të këqijave të kohës së vet e të të gjitha kohërave, zgjodhi vendosmërisht Udhën e Kryqit, duke ndjekur shtegun më të gjatë, udhën më të dhimbshme por më të frytshëm të dashurisë.

Në gjurmët e Jezusit e të bashkuar me Të, të gjithë duhet të angazhohemi që t’i kundërvihemi së keqes me të mirën, gënjeshtrës – me të vërtetën; urrejtjes, me dashurinë”. “Dashuria e Krishtit na nxit” (2 Kor 5, 14) - thotë Shën Palit, duke na kujtuar se në Jezusin, vetë Zoti na dhuroi vetveten deri në vdekje, gjë që duhet të na shtyjë të mos jetojmë më për vetveten, por për Krishtin e me Të, për të tjerët”.

E dashuria duhet të shprehet pastaj në gjeste konkrete në ndihmë të të afërmit, e sidomos të më të varfërve e më nevojtarëve, duke pasur gjithnjë parasysh se Ati, që është në qiell, shikon edhe në fshehtësi e i shpërblen të gjithë ata që bëjnë mirë në heshtje, përvujtërisht e pa kurrfarë interesi. Konkretizimi i dashurisë është një nga elementet themelore të jetës të të krishterëve, të cilët inkurajohen nga Jezusi të jenë dritë e botës, që njerëzit, duke parë veprat e mira, ta lëvdojnë Atin që është në qiell.

Në kohën e Kreshmëve dëgjojmë si jehon përsëri ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. Kështu, të gjallëruar nga impenjimi i fortë i lutjes, të vendosur për t’iu kushtuar më shumë pendesës, agjërimit e vëmendjes ndaj vëllezërve e nevojtarëve, të ecim drejt Pashkëve, në shoqërinë e Virgjërës Mari, Nënës së Kishës e modelit të çdo nxënësi të vërtetë të Krishtit. Kështu pra, Kisha na fton kryesisht të rikthehemi tek Zoti.

E kthimi ka shkallë të ndryshme, që fillojnë me përpjekjen për ta dashur më shumë Zotin e vijon me pendesën për mëkatet tona, me dashurinë për të afërmin në botën e sotme, në të cilën flitet kaq shumë për tensione, kriza të llojllojshme, gjakmarrje, urrejtje, dhunë. Kreshmët na bëjnë thirrje për pajtim, për pendesë, për falje, për mirëkuptim e ngadhënjim mbi të keqën e mëkatin. Kjo është rruga e Jezusit, që na çon drejt dashurisë, drejt drejtësisë, drejt vëllazërimit, me pak fjalë drejt Pashkëve të ngjalljes.








All the contents on this site are copyrighted ©.