2017-03-29 14:35:00

Kremtim ekumenik në Londër, për 500-vjetorin e Reformës


“Takim, që do të kishte qenë i pamundur vetëm 50 vjet më parë e që u krijon mundësinë katolikëve dhe luteranëve t’i kapërcejnë traditat, me të cilat janë lidhur ngushtë në rrjedhë shekujsh, siç tregojnë historitë e ndryshme, për të pohuar praninë e Krishtit si në njërën palë, ashtu në tjetrën”. Me këto fjalë - njofton agjencia Sir - kryeipeshkvi i Birmingamit, Bernard Longley, e filloi ligjëratën e tij në shërbesën e së dielës së kaluar, në katedralen londineze të Shën Gjergjit, me pjesëmarrjen e katolikëve dhe të luteranëve,  për të përkujtuar 500-vjetorin  e dialogut ekumenik.

Rast për t’u lutur edhe për viktimat e atentatit të Westminster

Ishte rast i përshtatshëm për t’u lutur për shpirtin e viktimave të terrorizmit dhe për të kujtuar sulmin e javës së kaluar, në Westminster. Në lutjen e përbashkët mori pjesë edhe i nderuari Martin Lind, ipeshkëv i Kishës luterane në Britaninë e Madhe si dhe kryeipeshkvi i Southwark, Peter Smith. Katolikë e luteranë falënderuan Zotin për Ungjillin e përbashkët, shprehën pendimin për trishtimin e shkaktuar nga përçarjet e Reformës dhe u angazhuan ta dëshmojnë mesazhin e krishterë, në një botë të ndarë e të plagosur.

Shtegu drejt unitetit është bindja ndaj thirrjes së Krishtit

Pasi u kujtua historia e përbashkët e katolikëve dhe e luteranëve në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe figurat më të spikatura ndërmjet ipeshkvijve, që shkruan faqet më të ndritura të kësaj historie, kryeipeshkvi Longley theksoi se sot të dyja fetë kanë mundësi të angazhohen përsëri në  punë e lutje të përbashkët për unitetin e të krishterëve. Shtegu, në të cilin mund të ecin rishtas njëri përkrah tjetrit  -  shtoi - është bindja ndaj thirrjes së Krishtit, ashtu siç shprehet në Predikimin e malit: “Ju jeni kripa e tokës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.