2017-03-29 18:40:00

Ipeshkvijtë evropianë: të rinjtë ta ndjejnë se Kisha i do


Vijon që dje, në Barcelonë, simpoziumi i ipeshkvijve evropianë kushtuar të rinjve, organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), në bashkëpunim me Konferencën Spanjolle dhe kryedioqezën  e Barcelonës. “Ecte me ta. Të shoqërohen të rinjtë për t’iu përgjigjur lirisht thirrjes së Krishtit”, tema e takimit. E inkurajimi i Papës për pjesëmarrësit: “Punoni, që të rinjtë të jenë mbartës të gëzimit të Ungjillit”.

Është takimi i parë kushtuar kësaj teme: ipeshkvijtë evropianë po diskutojnë për mënyrën si duhen shoqëruar të rinjtë, duke pasur parasysh edhe afrimin e sinodit, që do të mbahet më 2018-tën, kushtuar pikërisht atyre. 275 delegatëve, nga 37-të Konferenca ipeshkvnore të Evropës, të pranishëm në Barcelonë, Papa u dërgoi një mesazh, nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, përmes të cilit i inkurajon “të reflektojnë mbi sfidat e ungjillëzimit dhe mbi shoqërimin e të rinjve që, përmes dialogut dhe takimit, e si gjymtyrë të gjalla të familjes së Krishtit, të jenë mbartës të bindur të gëzimit të Ungjillit në të gjitha fushat e jetës”.

Gjatë 4 ditëve të punimeve, po lexohen referate, po organzohen  ballafaqime, po shkëmbehet përvoja e po ndiqen edhe praktika pozitive. Pesë, fushat baritore, në qendër të vëmendjes: shkolla, universiteti, katekizmi, të rinjtë, thirrjet për meshtari. Në një letër, dërguar nga kardinali Bagnasco, kryeipeshkëv i Gjenovës dhe kryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kujtohen, pak ditë pas përvjetorit të Traktateve të Romës, 60 vjetët e udhës së përshkuar nga Bashkimi Evropian. Të ecësh së bashku është e mundur - pohon kardinali Bagnasco -  e gjëja më e mirë, të niset nga të rinjtë, që janë ardhmëria e jetës si dhe ardhmëria e këtij kontinenti të lashtë, por jo të shuar. Të besosh në  ardhmërinë e Evropës, do të thotë t’u besosh të rinjve, t’u japësh atyre shkollë dhe mundësi reale për t’u radhitur në botën e punës - shkruan kardinali. - E pastaj t’i ndihmosh të kenë besim në identitetin e kontinentit evropian, misioni i të cilit është t’i kujtojë botës paprekshmërinë e jetës njerëzore, dinjitetin dhe lirinë e çdo njeriu, njëherësh edhe me përgjegjësitë e tij.

Ipeshkvjtë e mbledhur në Barcelonë duhet ta kenë mirë parasysh edhe faktin se shumë të rinj  aktualisht distancohen nga feja e krishterë e nga Kisha, nga që i kanë humbur të gjitha shpresat e nuk arrijnë të gjejnë kuptimin e jetës. Kardinali Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminsterit, foli, në takim, për të rinj, që nuk dinë nga të shkojnë, që janë krejt të paqartë për të ardhmen. Kujtoi se Kisha dëshiron t’i shoqërojë në angazhimin për ta shqyrtuar jetën e për të kuptuar çfarë dëshiron Zoti prej tyre. Duke kërkuar edhe rrugë të reja.

Të rinjtë kanë etje për lumturi - pohoi në diskutimin e tij kardinali Antonio Canizares Llovera, kryeipeshkëv i Valencies dhe zëvendës-kryetar i Konferencës ipeshkvnore spanjolle - por nuk është e lehtë ta arrijnë, sepse janë tejet të shumta vështirësitë që ndeshin në udhët e botës. Çka nuk duhet ta harrojnë, është se mund të takohen me Kishën. Ata duhet të zbulojnë se ia vlen të jesh Kishë, se Kisha i mirëpret e ka besim në ta.  Duhet ta ndjejnë se janë shpresa e botës e shpresa e Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.