2017-03-29 13:48:00

Françesku: duhet shpresuar edhe kur nuk ka më asnjë shpresë


Shpresa jonë nuk mbështetet në arsyetime, parashikime e siguri njerëzore: duket atje, ku nuk ka më kurrnjë farë shprese, ku nuk ka mbetur më asgjë, në të cilën mund të shpresosh. Këtë nënvizoi Papa në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, duke vijuar ciklin kushtuar shpresës së krishterë. Sot komentoi fragmentin e Letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, që e paraqet Abrahamin edhe si atin e shpresës.

Fragmenti i Letrës së Shën Palit, të cilin sapo e dëgjuam - kujtoi Papa në fillim të katekizmit - na bën një dhuratë të madhe. Jemi mësuar ta shikojmë Abrahamin si atin tonë në fe. Ndërsa sot Apostulli na bën të kuptojmë se Abrahami është për ne edhe atë në shpresë, e kjo sepse, në udhën që përshkoi, mund të dëgjojmë jehonën e kumtimit të Ringjalljes, të jetës së re, që ngadhënjen mbi të keqen e deri mbi vetë vdekjen.

Në tekstin biblik thuhet se Abrahami besoi në Zotin, “i cili i ngjall të vdekurit dhe i thërret në jetë sendet, që nuk ekzistojnë”(Rom 4,17). E pastaj  saktëson: “Ai nuk u lëkund në fe, edhe pse e pa si thahej trupi i tij  e fishkej gjiri i Sarës”(Rom 4,19):

“Ja, kjo është përvoja, që jemi të thirrur ta jetojmë edhe ne. Zoti, që i duket Abrahamit, është Zot, që të shpëton; Zot, që të bën të dalësh nga dëshpërimi e nga vdekja; Zot, që të thërret përsëri në jetë”.

Në  historinë e jetës së Abrahamit, gjithçka shndërrohet në himn për Zotin,  që çliron e gjallëron, gjithçka bëhet profeci. E bëhet për ne, për ne, që sot pranojmë e kremtojmë përmbushjen e gjithë kësaj historie, në Misterin e Pashkëve:

“Zoti e ngjalli prej të vdekurve Jezusin (Rom 4,24) që edhe ne të mund të kalonim në Të, nga vdekja në jetë. E atëhere Abrahami mund të quhet me të vërtetë atë i një mori popujsh, sepse shkëlqen si kumt i njerëzimit të ri,  që Krishti e shpëtoi nga mëkati e nga vdekja, duke i prirë një herë e përgjithmonë drejt përqafimit të dashurisë së Zotit”.

Në këtë pikë - sqaroi Papa - Shën Pali na ndihmon ta kuptojmë lidhjen tejet të ngushtë ndërmjet fesë dhe shpresës. Ai pohon se Abrahami besoi, duke shpresuar kundër çdo shprese(Rom 4.18).  

Shpresa jonë nuk mbështetet në arsyetime, parashikime e siguri njerëzore: duket atje, ku nuk ka më kurrnjë farë shprese, ku nuk ka mbetur më asgjë, në të cilën mund të shpresosh. Pikërisht ashtu si i ndodhi Abrahamit, në sa priste vetëm vdekjen e shikonte shterpësinë e Sarës. Shpresa e madhe rrënjoset në fe. Pikërisht për këtë mund të shkojë përtej çdo shprese. E kjo është e mundur…:

“Po, sepse nuk bazohet mbi fjalën tonë, por mbi Fjalën e Zotit. Prandaj edhe në këtë kuptim jemi të thirrur të ndjekim shembullin e Abrahamit i cili, edhe përballë një realiteti, që të kujtonte vetëm vdekjen, vijoi t’i besojë Zotit, plotësisht i bindur se çka i kishte premtuar, ishte në gjendje edhe ta realizonte” (Rom 4,21).

Ja pra - vijoi Françesku - ky është paradoksi e, njëkohësisht, edhe elementi  më i fortë, më i lartë i shpresës sonë! Shpresë e themeluar mbi një premtim që, në këndvështrimin njerëzor, duket i paqartë, i paparashikueshëm, por që nuk mungon as përballë vdekjes, kur premtimin e bën Zoti i Ringjalljes e i jetës. Prej këndej, ftesa e Papës drejtuar besimtarëve në përfundim të të katekizmit:

“Të dashur vëllezër e motra, t’i kërkojmë sot Zotit hirin të mos bazohemi mbi siguritë tona, mbi aftësitë tona, por mbi shpresën, që buron prej premtimit të Zotit, si bij të vërtetë të Abrahamit. E atëhere jeta jonë do të shndritet me një dritë të re, me vetëdijen se Ai, që e ngjalli të Birin, do të na ringjallë edhe ne e do të na bëjë vërtet një gjë të vetme me Të, së bashku me të gjithë vëllezërit tanë në fe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.