2017-03-28 16:00:00

Seminaristit Zef Marku i jepet shërbesa e Akolitatit


Kësaj së diele, e katërta e Kreshmëve, festë në dioqezën e Sapës. Seminaristit Zef Marku iu dha shërbesa e Akolitatit, hap i rëndësishëm në rrugën drejt diakonatit e meshtarisë. Të dëgjojmë informacionin e bashkëpunëtores sonë, Violeta Marashi…

Të dielen e katërt të Kreshmeve, datë 26 mars 2017, gjate Meshës së Kremtuar në Katedralen Nënë Tereza në Vau - Dejes, seminaristi Zef Marku iu dha shërbesa e Akolitatit, nëpërmjet të cilit iu besua detyra për të ndihmuar meshtarët dhe diakonët në kryerjen e shërbesave të tyre, dhe si ministër i jashtëzakonshëm mund t’u shpërndajë Eukaristinë të gjithë besimtarëve dhe të sëmurëve.

Mesha u udhëhoq nga Administratori dioqezan i Sapës në bashkëkremtim me Rektorin e Seminarit Ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të mirë” – Shkodër, dom Leonardo Falco dhe meshtarë të tjerë. Me falenderimin ndaj Zotit për dhuratën e thirrjes së Zefit, dom Simoni shprehi gëzimin e tij për përparimin e tij shpirtëror dhe intelektual, ku sipas gjykimit të eprorëve kompetent që kujdesen për të, po i jepet edhe shërbesa e akolitatit, një hap më shumë që e ofron drejt meshtarisë. Në vazhdim të homelisë së tij, dom Simoni kujtoi se thirrja lind prej takimit të dy lirive, asaj hyjnore dhe njerëzore, dhe është një ngjarje personale por edhe e bashkësisë edhe kishtare, sepse çdo thirrje nxitet prej Zotit si një dhuratë për Bashkësinë e krishterë. Duke përfunduar dom Simoni ftoi të gjithë bashkësinë famullitare dhe dioqezane për t’u lutur për thirrje të reja, për të shpallur Ungjillin e Krishtit.

Më pas riti i dhënies së Akolitatit vazhdoi me lutjen e bekimit, dorëzimin e bukës dhe të verës, si dhe me ritet e tjera vazhduese. Shërbesa e akolitatit e angazhon edhe më shumë të zgjedhurin për të jetuar në mënyrë gjithnjë e më intensive flinë e Zotit duke ia përshtatur gjithnjë e më shumë qënien e tij dhe të vepruarit e tij. Falenderojmë Zotin për dhuratën e thirrjes bërë në personin e Zefit, në të cilin thirrja po rritet e piqet çdo ditë hap pas hapi, e do të kurorëzohet me Shugurimin Diakonal e Meshtarak.








All the contents on this site are copyrighted ©.