2017-03-28 13:00:00

Papa: fe do të thotë të ecësh me jetën, që të ka dhënë Zoti. Përtesa paralizon


Të besojmë në Krishtin e ta marrim jetën ashtu si vjen, duke ecur përpara me gëzim, pa u ankuar, pa u paralizuar nga mëkati i shëmtuar i përtacisë: kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

“A do të shërohesh?”

Në qendër të homelisë së Atit të Shenjtë, Ungjilli i ditës, ku flitet për të paralizuarin e shëruar nga Jezusi. Një burrë 38-vjeçar, qëndronte shtrirë në anë të pishinës së Jeruzalemit, që quhej Betsata, me pesë treme, nën të cilat ishin mbledhur një numër i madh të sëmurësh: të verbër, të çalë e të paralizuar. Thuhej se kur zbriste një engjëll nga qielli, ujrat turbulloheshin e të parët që zhyteshin, shëroheshin. Jezusi e sheh këtë njeri dhe i thotë “A do të shërohesh?”:

         “Bukur kjo, Jezusi na pyet gjithnjë për këtë: ‘A do të shërohesh? Do të jesh i lumtur? Dëshiron ta përmirësosh jetën? Do të jesh plot me Shpirtin Shenjt? Dëshiron të shërohesh?’… Të gjithë të tjerët, që ishin aty, të sëmurët, të vebërit, të çalët, të paralizuarit do të kishin thënë menjëherë: ‘Po, o zotëri, po!’. Po ky ishte i çuditshëm dhe i tha Jezusit: ‘Zotëri nuk kam njeri që, kur të valëzohet uji, të më shtjerë në banjë e, ndërsa unë ulem, një tjetër zbret para meje’. Përgjigjja është ankim: ‘Pa shiko Zotëri, sa e keqe, sa e padrejtë ka qenë jeta me mua. Të gjithë mund të shkojnë e të shërohen e unë po përpiqem që prej 38 vjetësh, por…”.

Mëkati i përtacisë

         Ky njeri, vërejti më tej Papa, ishte si pema e mbjellë përgjatë rrjedhjes së ujit, për të cilën flet Psalmi i parë, “por i kishte rrënjët e thara”, e ato rrënjë nuk arrinin deri tek uji. Nuk mund të përfitonte nga shërimi në atë ujë, vuri në dukje Ati i Shenjtë:

         “Kjo kuptohet nga qëndrimi, nga ankimet e, edhe nga fakti se gjithmonë ua ka hedhur fajin të tjerëve: ‘Të tjerët shkojnë para meje, unë i varfëri jam këtu që prej 38 vjetësh…’. Ky është mëkat i shëmtuar, mëkati i përtacisë. Ky njeri ishte i sëmurë jo aq nga paraliza, por nga plogështia, që është më keq se të kesh një zemër të vakët, më keq akoma. Është të jetosh, sepse je gjallë, pa pasur dëshirë për të ecur përpara, pa pasur dëshirë për të bërë diçka në jetë, duke humbur edhe kujtesën e gëzimit. Ky njeri s’ia dinte as emrin gëzimit, e kishte humbur. Ky është mëkati i tij. Është sëmundje fort e keqe: ‘Jam rehat kështu, jam mësuar… Jeta ka qenë e padrejtë me mua…’. Shihet qartë pakënaqësia, hidhërimi i asaj zemre”.

“Çohu, merre barelën dhe ec”

         Jezusi nuk e qorton, por i thotë: “Çohu, merre barelën dhe ec”. I paralizuari çohet në këmbë, i shëruar. Por, meqë ishte e shtunë, dijetarët e Ligjit i thonë se nuk lejohej ta mbante barelën dhe e pyesin kush e kishte shëruar, pasi ai njeri s’mund të ishte i Zotit, shkonte kundër normave. I paralizuari as që e kishte falenderuar Jezusin, vërejti Papa, s’e kishte pyetur as për emrin, sepse edhe për këtë përtonte. Jetonte, “sepse oksigjeni është falas”, me atë plogështi, që të bën t’i shohësh të tjerët gjithmonë më të lumtur se veten, të jetosh i trishtuar, pa gëzim. Plogështia, theksoi më tej Ati i Shenjtë, është mëkat që të paralizon, nuk të lë të ecësh:

         “Sot, Zoti i thotë secilit prej nesh: ‘Çohu, merre jetën ashtu siç është, e bukur apo e shëmtuar qoftë, po merre dhe ec përpara. Mos ki frikë, ec përpara me gjithë barelë’. ‘Por, o Zot, nuk është modeli i fundit…’. S’ka gjë, ec përpara! Me atë barelë të shëmtuar ndoshta, por ec! Është jeta jote, është gëzimi yt. ‘Dëshiron të shërohesh?’, pyetja e parë që na bën sot Zoti. ‘Po, o Zot’. ‘Çohu atëherë’. E në antifonën e fillimit të meshës thuhet bukur: ‘Ju, që keni etje, ejani tek uji – është ujë gratis, jo me pagesë – Ju shuajeni etjen me gëzim’. E nëse ne i themi Zotit ‘Po, dua të shërohem. Po, o Zot, më ndihmo se dua të çohem’, do ta kuptojmë si është gëzimi i shëlbimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.