2017-03-28 15:05:00

Papa, OKB-së: të impenjohemi për një botë pa armë bërthamore


Paqja nuk mund të bazohet mbi “kërcënimin për t’u shkatërruar reciprokisht”, por duhet t’i ketë themelet në “drejtësinë” dhe në “zhvillimin njerëzor të gjithanshëm”. Nevojiten “strategji largpamëse” dhe “zbatim i plotë i Traktatit për mospërhapjen e armëve”. Ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku për Konferencën e OKB-së, mbledhur deri të premten në Nju Jork, me synimin për t’u marrë vesh mbi disa norma ligjërisht të detyrueshme, që duhet të çojnë drejt zhdukjes së plotë të armëve bërthamore.

Punojmë për një botë pa armë bërthamore

         Ati i Shenjtë i inkurajon pjesëmarrësit të impenjohen për të zbatuar Traktatin e mospërhapjes, ashtu siç pati thënë në asamblenë e OKB-së, më 25 shtatorin e dy vjetëve më parë. Neni i parë i Kartës së OKB-së, kujton Françesku, përcakton se themelet e së drejtës ndërkombëtare janë “paqja, zgjidhja paqësore e kontradiktave dhe zhvillimi i marrëdhënieve miqësore ndërmjet popujve”.

Armatosja është rrugë e rrezikshme

         Në botën shumëpolare të shekullit XXI, vijon Ati i Shenjtë, frikësimi përmes armëve bërthamore është krejtësisht i papërshtatshëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve kundër paqes dhe sigurisë, si terrorizmi, lufta, pasiguria informatike, varfëria. Këto armë kanë pasoja katastrofike humanitare dhe ambientale, që s’bëjnë asnjë dallim ndërmjet miqve dhe armiqve, prandaj s’mund të kontrollohen. Përveç kësaj, thekson Papa, fondet e përdorura për qëllime ushtarake do të mund të përdoreshin edhe më mirë, për shembull, për zbatimin e Agjendës 2030 të zhvillimit të qëndrueshëm. Duhet ta pyesim veten, nënvizon Ati i Shenjtë, sa mund të zgjasë një ekuilibër i bazuar mbi frikën.

Themeli i paqes është drejtësia

         Paqja dhe qëndrueshmëria nuk mund të bazohen mbi ndjenjën e rreme të sigurisë, mbi kërcënimin për shkatërrim reciprok, ose për shfarosje të plotë. Paqja, thekson me forcë Papa Françesku, “duhet ngritur mbi drejtësinë, mbi zhvillimin e gjithanshëm njerëzor, mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut, mbi promovimin e institucioneve paqësore, mbi mundësitë për edukim e shëndetësi, mbi dialogun dhe solidaritetin”. Kemi nevojë për një reflektim etik për paqen e sigurinë shumëpalëshe, që shkon përtej frikës dhe izolimit.

Bota mund të jetojë pa armë bërthamore

         Besim e dialog për të mirën e përbashkët e jo për interesa të veçanta vetjake, thekson më tej Papa, i cili u kërkon shteteve të ulen në tryezë me të gjithë, me shoqërinë civile, me organizatat e me bashkësitë. Njerëzimi, shkruan Ati i Shenjtë, “i ka aftësitë për të punuar së bashku, për ta orientuar tekonologjinë, në mënyrë që ta kufizojë pushtetin personal për ta vënë në shërbim të një lloj tjetër progresi: më njerëzor, më shoqëror e më të gjithanshëm”. Bota pa armë bërthamore, përfundon Papa Françesku, është objektiv afatgjatë dhe tepër i ndërlikuar, por jo i pamundur.








All the contents on this site are copyrighted ©.