2017-03-27 14:15:00

Komisioni i Mbrojtjes së të Miturve: më tepër kujdes për viktimat e abuzimeve


Të gjenden forma të reja, që vënë në qendër të vëmendjes së Kishës viktimat e pedofilisë. Ky është impenjimi i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve, në përfundim të asamblesë së tetë të përgjithshme të organizmit. Që nga 24 marsi e deri dje, anëtarët e Komisionit diskutuan për mënyrat se si mund të shpejtohet reagimi i zyrave të Selisë së Shenjtë, nga çasti që marrin denoncimin e një viktime abuzimesh.

Falenderim për Mary Collins dhe për impenjimin e saj kundër pedofilisë

         Në një komunikatë, Komisioni falenderon Mary Collins, dorëheqja e së cilës nga organizmi kishtar, qe një ndër temat kryesore të plenares. I njihet anëtares së dikurshme e gjithë puna e bërë në favor të viktimave të abuzimeve e të parandalimit të çdo shpërdorimi, si edhe gatishmëria e treguar për të vazhduar të impenjohet në programet e edukimit për ipeshkvijtë e rinj e për zyrat e Kuries Romake.

Zyrat e Selisë së Shenjtë t’u përgjigjen menjëherë viktimave të abuzimeve

        Komisioni u angazhua të gjejë rrugë të reja për të bashkëpunuar me viktimat e abuzimeve. Disa nga idetë më të mira do t’i paraqiten Atit të Shenjtë. Anëtarët e grupit për mbrojtjen e të miturve nënvizuan se kur viktimat u shkruajnë zyrave të Selisë së Shenjtë duhet të marrin gjithnjë një përgjigje të drejtpërdrejtë. Kjo do të thotë të bëhet një punë e madhe me korrespondencën, e cila kërkon fonde dhe njerëz, por edhe procedura të qarta e të veçanta, që do t’i rekomandohen Papës.

Të punohet me Kongregatën për Doktrinën e Fesë për “direktivat”

         Komisioni ka për detyrë të ndihmojë edhe Kishat lokale për të përballuar fenomenin e abuzimeve seksuale, sidomos për ta parandaluar atë. Për këtë nevojiten “Direktiva”, të cilat janë përcaktuar e do të përmirësohen vazhdimisht në bashkëpunim me Kongregatën për Doktrinën e Fesë. Konferencat Ipeshkvnore dhe organizmat e ndryshme fetare mund të marrin këto Linja si drejtpërdrejt, ashtu edhe përmes faqes së internetit të Komisionit “protectionofminors.va”. Edhe formimi duhet të jetë i vazhdueshëm, siç dëshmoi seminari i fundit i organizuar në Universitetin Gregorian në Romë, ku morën pjesë 150 personalitete, sidomos nga Amerika Latine. I pranishëm, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin dhe përgjegjës të ndryshëm dikasteresh.








All the contents on this site are copyrighted ©.