2017-03-27 16:36:00

Ipeshkvijtë meksikanë: heshtja për abortin të bën bashkëfajtor


Heshtja përballë zhdukjes së jetës, që po lind, të bën bashkëfajtor në krimin e abortit. Kështu shkruajnë ipeshkvijtë meksikanë në një komunikatë, shpërndarë me rastin  e Ditës së Jetës, kremtuar në nivel kombëtar më 25 marsin e kaluar, në solemnitetin e Lajmërimit të Zotit. “Jeta nuk është pasuri, që e japim, por dhuratë, që e marrim” - lexohet në tekstin nënshkruar nga imzot Francisko Javier Chavolla Ramos, ipeshkëv i Toluca-s dhe kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Jetën: “Askush nuk mund ta dhunojë paprekshmërinë e një qenjeje tjetër njerëzore, as për qëllime shkencore, as pse është i moshuar, i gjymtë, i sëmurë, i papërgjegjshëm për veprimet e veta e as pse është emigrant”.

Ideologji kundër familjes dhe pështjellim antinjerëzor

“Sot, në Meksikë, janë të shumta kërcënimet kundër jetës familjare, me synim që të ndryshohet me rrugë ligjore fytyra dhe dinjiteti i martesës, respekti ndaj jetës dhe identiteti i familjes. Në shoqërinë aktuale, ideologjia e respektit për kafshët jetohet si përgjegjësi, ndërsa mbytja e njeriut të palindur, si e drejtë. Pështjellim antinjerëzor e kriminal - denoncojnë ipeshkvijtë - që po përshkon gjithë vendin e sot, në Meksikë, mijëra fëmijë të palindur mbyten pa kurrfarë shqetësimi”.

Heshtja të bën bashkëfajtor në krimin e abortit

E fortë, thirrja e ipeshkvijve drejtuar besimtarëve e qytetarëve: këto sfida na vënë para përgjegjësisë njerëzore e shoqërore. Fjalët, që i tha Engjëlli Marisë, “mos ki frikë”, na kujtojnë se duhet ta mbrojmë jetën pa frikë e pa droje. Urojmë që Koha e Kreshmëve - kujtojnë ipeshkvijtë - të jetë rast i përshtatshëm për t’i korrigjuar gabimet tona. Para së gjithash, atë të heshtjes, që na bën bashkëfajtorë në krimin e abortit. Në përfundim, ftesa  për t’u kërkuar falje të gjitha qenieve njerëzore, të mbytura me abort, sepse “Me heshtjen tonë kontribuojmë për vdekjen e  tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.