2017-03-26 14:28:00

Parolin në Carpi: rihapja e Katedrales, shenjë se tërmeti nuk e thotë fjalën e fundit


Tërmeti mund të godasë e të plagosë, por nuk mund të shpartallojë e të agjësojë; mund ta trandë e ta dëmtojë tokën, por nuk mund ta shpërbëjë e as ta shpërndajë një bashkësi, që dëshiron të rilindë. Këtë pohoi, dje, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë bashkëkremtimit solemn eukaristik për rihapjen e Katedrales së Carpi-t, pesë vjet pas tërmetit, që e dëmtoi rëndë Emilia Romanjën dhe një javë para vizitës së Papës në dioqezën romanjole.

“Tërmeti - theksoi kardinali Parolin në Carpi - ashtu si dramat e tjera që mund ta trondisin thellë shoqërinë me kobet e rrënojat e tyre, nuk mund ta  thonë fjalën e fundit. Me ndihmën e Zotit - vijoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - e duke  ngulmuar me zell  e guxim, jeta rilind, plagët përthahen e njerëzit rifillojnë të ecin përpara, të shpresojnë, të planifikojnë e të ndërtojnë”.

Kardinali Parolin - sipas agjencisë Sir -  u tërhoqi besimtarëve vëmendjen  të ruhen nga prirja për ta theksuar të keqen, negativen e deri edhe për t’i spektakolarizuar tragjeditë. Pohoi, më pas me forcë se rihapja e tempullit  prej guri do të jetë më shumë doemethënëse, nëse ia hapim gjithnjë më shumë zemrat e mendjet Krishtit, mesazhit të Tij të paqes e të shëlbimit, të gëzimit e të çlirimit të vërtetë.

Kujtojmë se Papa do të shkojë për vizitë baritore në dioqezën e Carpi-t, në  Emilia Romagna, më 2 prill. Françesku shkon të takojë një Kishë, që po bën udhën kuptimplote të fesë e jeton në një çast shprese, pas pasojave të tërmetit të 2012-tës. E gjithë bashkësia e krishterë e civile, pas rihapjes së Kishës së vet Katedrale, do të mblidhet me ngrohtësi e dashuri rreth personit të Atit të Shenjtë, që të dëgjojë nga goja e tij fjalë inkurajimi, për të vijuar, me fe e shpresë, ecjen në udhën e përvijuar prej tij e për ta përforcuar gjithnjë më shumë në Krishtin edhe Kishën e Carpi-t”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.