2017-03-24 13:45:00

Papa takohet e bisedon me krerët e Evropës për problemet e Kontinentit, nga emigrantët, tek puna


Papa Françesku takohet sot, 24 mars 2017, në orën 18.00, në sallën Regia, në Vatikan, me krerët e shteteve e të qeverive të Bashkimit Evropian, me rastin e 60-vjetorit të nënshkrimit të Traktateve të Romës. Nuk është e vështirë t’i përfytyrosh problemet, që preken gjatë këtij takimi, sepse të përditshme për të gjithë banorët e Kontinentit të Vjetër: nga problemet e secilit prej nesh, tek ato të emigrantëve, mirëpritja dhe integrimi i tyre, papunësia dhe përpjekjet për t’u siguruar të gjithë evropianëve, dinjitetin e njeriut të punës, familja.

Takimi mbahet në Sallën Regia  të Pallatit Apostolik, në po atë sallë ku Papa Bergoglio pati pritur një vit më parë  liderët  e vendeve evropiane, mbledhur në Vatikan për t’i dorëzuar Çmimin Karli i Madh, të cilin Ati i Shenjtë Françesku e pranoi, duke ia kushtuar paqes. E sot, për Papën Françesku, i cili në përfundim të vitit 2014 pati vizituar Parlamentin Evropian të Strasburgut,  ishte çasti i tretë, tejet i rëndësishëm për të prekur përsëri plagët e reja e perspektivat për një të ardhme, të Kontinentit të Vjetër. 

Papa Françesku flet për një Evropë mikpritëse, një Kontinent, që duhet t’i rizbulojë e rifitojë vlerat e veta, të cilat vijojnë të zbehen, me pasoja jo të pakta. Papa i thotë ‘jo’ mureve e ‘po’ Kontinetit, me krahët e hapur për emigrantët e shumtë, që arrijnë në viset e tij, duke shkelur mbi mina, në kërkim të një skute, ku  jetohet pa frikë se mund të hidhesh në erë nga çasti në çast. 

Papa Françesku vijon të ëndërrojë një Evropë të aftë për t’i përfshirë të gjithë, një Evropë,  ku të rinjtë e edhe pleqtë, shtresat më të ligshta të shoqërisë, nuk katandisen në hedhurina, ku familja çmohet për rolin e kontributin e saj të pazëvendësueshëm. Nëse nuk riniset nga sfidat e reja: familja, punësimi, respekti i dinjitetit të njeriut, mikpritja e refugjatëve, puna dinjitoze, asistenca e të moshuarve, Kontinenti i Vjetër  rrezikon të mbetet i mbyllur brenda frikës së vet e egoizmit të vet.

Pastaj Papa Françesku kujton nevojën e unitetit në pluralitet dhe të dialogut. Përballë rrezikut të shpërbërjes - pati thënë ndonjë javë më parë, duke folur pikërisht për Traktatet e Romës - është më urgjente se kurrë të  përtërihet ideja e Evropës së Bashkuar.

Takimi i nivelit të lartë ndërmjet Papës dhe 27 liderëve të të gjitha vendeve evropiane, shoqëruar nga delegacionet përkatëse, do të fillojë në orën 18.00. Të pranishëm, edhe përfaqësuesit e institucioneve evropiane: Antonio Tajani, Kryetar i Parlamentit Evropian; Donald Tusk, Kryetar i Këshillit Evropian dhe Jean-Claude Junker, Kryetar i Komisionit Evropian.

Para se të fillonte takimi, duke folur në mikrofonin e Radio Vatikanit, Kryetari i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, theksoi:

“Sjell me vete një mesazh të rëndësishëm: ne duam t’i  bëjmë të ditur Atit të Shenjtë se institucionet evropiane po angazhohen për ta forcuar unitetin e Bashkimit Evropian, por edhe për ta ndryshuar e për ta bërë më të afërt për qytetarët. Mbetet ende shumë për të bërë e fjalët e Papës  gjatë fjalimit mbajtur përballë parlamentarëve evropianë në Strasburg (25 nëntor 2014) janë mësim e kontribut shumë i rëndësishëm: këshilla, që ne duam t’i dëgjojmë, sepse kjo Evropë është themelore për mbrojtjen e lirisë, mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e paqes, por duhet të jetë edhe shumë më pranë qytetarëve të saj. E duhet të përballojë tri emergjenca të mëdha: ‘Krizën ekonomike me papunësinë në radhët e të rinjve, luftën kundër terrorizmit dhe problemin e emigracionit’”.

Para  se ta marrë fjalën Papa, parashikohet fjalimi i Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës së Italisë, Paolo Gentiloni si dhe Kryetarit të Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

Audienca do të përfundojë me një fotografi: Papa dhe pjesëmarrësit e delegacioneve do të  fotografohen në grup, në  Kapelën Sikstine.








All the contents on this site are copyrighted ©.