2017-03-24 13:58:00

Do të shpallen shenjtorë barinjtë e vegjël të Fatimës, Françesku e Giacinta


Kisha universale do të pasurohet me 36 Shenjtorë e 40 të Lum të rinj. Papa Françesku priti dje kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe e autorizoi dikasterin të shpallë dekretet përkatëse.

Emocion i thellë për miliona besimtarët, që kanë devocion të posaçëm për Zojën e Fatimës. Do të kanonizohen së shpejti të Lumtë Francesco e Giacinta Martò,  të cilëve, së bashku me motrën e tyre më të madhe, rregulltaren Luçia Dos Santos, vdekur në vitin 2005, iu duk Zoja e Bekuar. Dy fëmijët vdiqën pak vjet pas takimeve të mrekullueshme me Zojën e Fatimës: Françesku ishte vetëm 11 vjeç, Giacinta 10.

Kanë kaluar 100 vjet që asokohe. Në kremtimin e këtij 100-vjetori, më 12 e 13 maj, në Shenjtëroren mariane pranë qytezës portugeze, do të jetë i pranishëm edhe Papa Françesku.

Ndërmjet shenjtorëve të tjerë të rinj, të cilëve u njihet mrekullia, është edhe i Lumi Angelo da Acri, në shekull Luca Antonio Falcone, kapuçini i palodhur që, ndërmjet shekullit 17-të e 18-të përshkonte mbretërinë e Napolit, duke predikuar Fjalën e Zotit me një gjuhë të përshtatshme për njerëzit e thjeshtë.   

Papa miratoi edhe votat e dikasterit në favor të shenjtërimit të 33 martirëve: dy priftërinj dioqezanë: Andrea de Soveral e Ambrogio Francesco Ferro dhe një  laik, Matteo Moreira, të cilët, së bashku me 27 shokë, u vranë nga urrejtja për fenë, në Brazil, në vitin 1645; e edhe tre adoleshentë: Cristoforo, Antonio e Giovanni, vrarë nga urrejtja për fenë në Meksikë.

Janë 40, të Lumët e rinj: 39 të martirizuar në vitin 1936, gjatë luftës civile spanjolle: Giuseppe Maria Fernandez Sanchez me 32 shokë priftërinj dhe rregulltarë të Kongregatës së Misionit si dhe 6 laikë të Shoqatës së Medaljes së Mrekullueshme të Zojës së Bekuar. Do të jetë e Lume edhe një rregulltare klarise indiane, Regina Maria Vattalil, e njohur për punën e saj të palodhshme në ndihmë të të varfërve, therur me thikë nga urrejtja për fenë, në vitin 1995.

Ndër të Nderuarit e rij kujtojmë meshtarin kapuçin Daniele da Samarate, vdekur në vitin 1924; Macrina Raparelli-n, themeluese e Kongregatës së Motrave Baziliane Bijat e Shën Makrinës, vdekur në vitin 1970 si dhe laikja Daniela Zanetta, vdekur më 1986.








All the contents on this site are copyrighted ©.