2017-03-24 15:50:00

Agron Gjekmarkaj: shqiptarët dhe Evropa, rrugë pa kthim.


Evropa dhe shqiptarët: mbi këtë ta dëgjojmë mendimin e pedagogut e profesorit në Universitetin e Tiranës dhe opinionistit Agron Gjekmarkaj, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit thotë se Evropa ka qenë zemërgjerë dhe e vetëdijshme për orientimin e popullit shqiptar. Në fizionominë e kësaj Evrope ne shqiptarët kemi lënë shenjat tona duke i skalitur ato me fuqinë e një populli mes sfidash por të vjetër. Për 500 vjet pushtimi otoman tentoi ta shkulte prej nesh Evropën, gjuhën shqipe, krishterimin, Gjergj Kastriotin por nuk ja doli. Ky 60 vjetor është edhe i shqiptarëve. I gjen ata më të vetëdijshëm për raportin me Evropën, me këmbëngulës për të vetmen rrugë dhe kjo rrugë është pa kthim... sepse është rrugë drejt shkuarjes në shtëpi dmth në Evropë”. Po ta degjojme Agron Gjekmarkaj...

                          60 vjet nga traktatet e romes

Shqiptaret Zoti i ka vendosur në mesdhe aty ku u farkëtuan fatet e civilizimit perëndimor ose e thënë më drejtpërdrejtë aty ky lindi Europa si koncept , si qytetërim e nga ku u nis për të mbështjellë me tisin e saj të mrekullueshëm një kontinent të tërë. Atë qe ne sot e  marrim të mirëqenë ! Po në fizionominë  e  kësaj Evrope ne shqiptaret kemi lënë shenjat tona duke i skalitur ato me fuqinë e një populli mes sfidash por të vjetër.

Nuk na mungojnë martirët e krishterimit, perandorët, papët, mbrojtësit e Evropës, shkrimtarët, politikanet e paqes e shenjtorët ! Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Papa Klementi XI, Nënë  Tereza, Ibrahim Rugova e shumë të tjerë. Evropën e kemi patur larg dhe afër por ajo ka qenë gjithmonë porti mëmë ku jemi kthyer pas stuhish e erërash të forta që na ka rezervuar historia. Për 500 vjet pushtimi otoman tentoi ta shkulte prej nesh Evropën, gjuhen shqipe, krishterimin, Gjergj Kastriotin por nuk ja doli.

 Vetëdija ishte më e forte  sesa  frika e dhunës. Po ashtu pas një segmenti të shkurtër kohor I cili mbyllej në vitin 1944 një tjetër ndarje tragjike i ndodhi kombit tonë me kontinentin e vjetër. Diktatura komuniste e projektoji republikën e re totalitare në aleanca të panatyrshme e më vonë në izolimin total.

Kur 60 vite me parë  etërit themelues të  BE se me traktatin e Romes hidhnin firmat që do të modernizonin bashkohësinë duke shtuar sigurinë, vlerat demokratike, standartet ekonomike dhe duke shtuar të gjitha liritë e njeriut për qytetaret e kontinentit Politikanet e shtypjes në vendin tonë i anatemonin dhe përbuznin të gjitha këto kategori duke u  ofruar  shqiptarëve  terror uri dhe propagandë. Por Evropa ka qenë zemërgjerë dhe e vetëdijshme për orientimin e popullit shqiptar. Ndaj ajo i nxiti ata për nga liria dhe demokracia, i mirëpriti dhe asistoi sapo dolën nga tirani duke u sintonizuar me thirrjen e një populli që vikaste me thirrjen e epërme, “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Po ashtu trualli ynë I përbashkët Evropa ndihmoi shqiptaret e Kosovës pikërisht në atë që dukej e pamundur në fitimin e lirisë dhe të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan duke ndrequr shqyerjet e kohës.

 Në 26 vite liri dhe pluralizëm Shqipëria ka bërë hapa serioz drejt Evropës, sot ajo ka statusin e vendit kandidat dhe lirinë e lëvizjes së lire. Po ashtu Kosova ka hyrë në të tilla hulli. Te dyja shtetet integrimin e shohin si të vetmen rruge  por edhe si një mundësi të madhe prosperiteti paqeje e demokracie kaq te dëshiruar  e të merituar pas mundimesh pa fund.

Sigurisht gjate këtyre viteve  politika shqiptare mund te bënte shume me teper. Shpesh ajo ishte qasur Evropës me hile otomane. Shpesh ajo duke favorizuar korrupsionin, tarafin dhe logjiken tribale fakte e cilësi qe na kane mbajtur larg Brukselit e ka vështirësuar ecjen tone edhe mjegulluar horizontin. Por një gjë është e sigurte shqiptaret janë evropian te bindur dhe integrimin e kane aspirate madhore por nuk mund ta arrijnë atë pa emancipuar politiken e tyre. Politika dhe shoqëria nuk janë ten dare ata kushtëzojnë njeri tjetrin. Një popull europian ka detyrimin te nxjerre  politikane europiane. Pa e bere këtë hendeku me Europen do te mbetet. Gjithsesi ky 60 vjetor është edhe i shqiptarëve. I gjen ata më të vetëdijshëm për raportin me Evropën me këmbëngulës për të vetmen rrugë dhe rrugë pa kthim... atë të shkuarjes në shtëpi dmth në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.