2017-03-23 14:18:00

Sulm në Londër. Dhimbja e Papës dhe e krerëve të feve të ndryshme


“Thellësisht i trishtuar për humbjen e jetëve njerëzore dhe për dëmet e shkaktuara nga sulmi në qendër të Londrës”. Papa Françesku e shpreh me këto fjalë solidaritetin e tij me tri viktimat, që mbetën të vrara së bashku me terroristin, dhe me 40 të plagosurit nga atentati i djeshëm në urën përballë Westminsterit, ku ishte mbledhur parlamenti britanik. Në telegramin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin, thuhet: “Duke ua besuar të vdekurit mëshirës plot dashuri të Zotit të Gjithpushtetshëm, Shenjtëria e Tij uron të dikohet forcë hyjnore dhe paqe mbi familjet në dhimbje dhe i siguron krejt kombit lutjen e tij në këtë çast”.

Dinamika e atentatit

Saktësisht një vit pas atentateve të Brukselit, në sulmin terrorist, të marrë përsipër nga Isis, një person i njohur nga Shërbimet Sekrete Britanike, me një makinë Suv, u përpoq të hyjë në parlamentin e Westminsterit nga ura para tij, duke goditur me thikë një polic e duke vrarë edhe dy njerëz të tjerë, para se të vritej ai vetë nga forcat e rendit. “Akt i neveritshëm dhe i urryer”, nënvizoi kryeministrja britanike, Theresa May, kur mblodhi komitetin e emergjencës. Tashmë, makina e sigurisë është vënë në lëvizje e janë arrestuar tetë vetë.

Dhimbja e bashkësive fetare londineze

 Krerë të feve të ndryshme shprehën dhimbjen e tyre për sulmin terrorist e për viktimat, sidomos për të plagosurit, shtatë prej të cilëve ndodhen në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore. Përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare e kanë dënuar ashpër aktin terrorist, realizuar në përvjetorin e parë të atentateve të Brukselit, që u kushtuan jetën 35 vetëve.

Kardinali Nichols siguron lutje së bashku me kreun e anglikanëve

Kryeipeshkvi i Westminsterit, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë dhe Uellsit, kardinali Vincent Nichols, në një intervistë për radion “BBC Essex” shprehu tronditjen e tij për ngjarjet e djeshme në Londër. “Mendimi i parë shkon tek familjet – tha ai, duke siguruar lutje e afërsi nga ana e Kishës Katolike.  Është e rëndësishme të ruajmë qetësinë dhe të presim, që forcat e rendit të bëjnë punën e tyre. Duhet të jemi të qetë, por edhe vigjilentë”. Kishës Katolike i shtohet edhe kreu i bashkësisë anglikane, kryepeshkopi Justin Welby.

Thirrja e Faiths Forum

Faiths Forum (Forumi i Feve), në të cilin bëjnë pjesë të krishterë, hinduistë, hebrenj dhe myslimanë, dënoi ashpër sulmin, duke theksuar se fetë e mbrojnë shenjtërinë e jetës njerëzore. “Nuk ka asnjë justifikim për këtë akt barbar kundër njerëzve të pafajshëm dhe terrorizmi nuk duhet të ketë vend në shoqëri”, nënvizon organizmi ndërfetar në një deklaratë. Faiths Forum u bën thirrje londinezëve të qëndrojnë të bashkuar dhe siguron se do t’i dyfishojë përpjekjet për paqen, mirëkuptimin dhe shpresën.








All the contents on this site are copyrighted ©.