2017-03-23 14:05:00

Papa priti Paul Biya, president i Kamerunit


Papa Françesku prit sot në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, Presidentin e Republikës së Kamerunit, Paul Biya, i cili më pas u takua me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, shoqëruar nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Gallagher.

Gjatë bisedimeve – njofton një deklaratë e Sallës së shtypit të Vatikanit – u vënë në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kamerunit dhe rëndësia e kontributit që Kisha ofron për zhvillimin e vendit, posaçërisht në fushën e arsimit e të shëndetësisë. Duke iu referuar bashkekzistencës paqësore e respektit të anasjelltë ndërmjet grupeve të ndryshme fetare, u fol edhe mbi rëndësinë e mbështetjes së bashkekzistencës kombëtare, për vlerësimin e pasurisë së traditave të ndryshme historike e kulturore të vendit në përkim me respektimin e të drejtave njerëzore dhe të drejtave të pakicave. Së fundi, nuk mungojë shkëmbimi i pikëpamjeve mbi disa tema me interes ndërkombëtar, me një referim të veçantë ndaj sfidave aktuale që interesojnë Rajonin.








All the contents on this site are copyrighted ©.