2017-03-23 12:10:00

Papa Françesku: bëhemi “katolikë ateistë” nëse e ngurtësojmë zemrën


Ta dëgjojmë Fjalën e Zotit për të mos e lënë zemrën të ngurtësohet. Kështu pohoi sot Papa Françesku, gjatë homelisë së meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Kur largohemi nga Zoti e kur e bëjmë shurdh veshin për Fjalën e Tij, nënvizoi Ati i Shenjtë, kthehemi në katolikë jo besnikë e madje, edhe në “katolikë ateistë”.

Nëse nuk dëgjojmë Zotin, dëgjojmë idhujt e botës

Kur populli nuk e dëgjon zërin e Zotit, ia kthen shpinën e së fundi, largohet prej Tij. Duke komentuar Leximin e parë të liturgjisë së sotme nga Libri i Jeremisë profet, Papa theksoi se nëse nuk ia dëgjojmë fjalën Hyjit, kërkojmë fjalë të tjera. Kur e bëjmë veshin shurdh për Zotin, dalëngadalë shurdhohemi krejtësisht e nuk arrijmë as ta kuptojmë Fjalën hyjnore:

“E të gjithë ne, nëse sot ndalemi pak dhe e shohim zemrën tonë, do të vërejmë sa herë – sa herë! – i kemi mbyllur veshët e sa herë jemi bërë shurdh. E kur një popull, një bashkësi, por të themi edhe një bashkësi e krishterë, një famulli, një dioqezë, i mbyll veshët dhe bëhet shurdhe ndaj Fjalës së Zotit, kërkon zëra të tjerë, zotërinj të tjerë e përfundon tek idhujt, idhujt që bota, mondaniteti dhe shoqëria na ofrojnë. Kështu, largohemi nga Hyji i gjallë”.

Me zemrën gur, bëhemi “katolikë paganë”, madje edhe “katolikë ateistë”

Kur largohemi nga Zoti, theksoi sërish Papa, zemra na ngurtësohet. Atëherë jetojmë në një atmosferë, që na distancon përditë e më shumë nga Hyji:

“E këto dy gjëra – mosdëgjimi i Fjalës së Zotit dhe zemra e ngurtësuar, e mbyllur në vetvete – na bëjnë ta humbim besnikërinë. Humbasim sensin e besnikërisë. Thotë Zoti në Leximin e parë: ‘Besnikëria u zhduk’ e, bëhemi katolikë të pabesë, katolikë paganë, ose, edhe më keq, katolikë ateistë, sepse nuk kemi asnjë pikë referimi dashurie në Zotin e gjallë. Mosdëgjimi dhe kthimi i shpinës – që na e ngurtëson zemrën – na çon në rrugën e pabesisë”.

A e dëgjojmë vërtet Fjalën e Zotit?

Pabesia lë vende të zbrazura në zemër, që duhen mbushur njëfarësoj, shpjegoi më tej Ati i Shenjtë. Jetojmë në konfuzion, nuk dimë ku është Zoti dhe e ngatërrojmë Atin Qiellor me birin e së Keqes. Papa iu referua Ungjillit të sotëm, ku njerëzit, duke e parë Jezusin të bënte mrekulli e të shëronte, kujtonin se kishte pushtetin djallëzor të Belzebusë. Kjo është blasfemi, nënvizoi. Këtu përfundojmë, kur hyjmë në rrugën e mosdëgjimit të Fjalës së Zotit, që ta ngurtëson zemrën, pastaj të sjell konfuzion, të bën të harrosh besnikërinë ndaj Hyjit e kështu, blasfemon. Mjerë ai popull, që harron mrekullinë e takimit të parë me Krishtin, nënvizoi Papa Françesku:

“Secili prej nesh mund ta pyesë veten: ‘A ndalem për ta dëgjuar Fjalën e Zotit, a e marr Biblën në dorë e, a më flet mua? Zemra ime mos është bërë gur? A jam larguar prej Zotit? A e kam humbur besnikërinë ndaj Zotit e jetoj me idhujt, që më ofron bota çdo ditë? A e kam humbur gëzimin e mrekullisë së takimit të parë me Jezusin?’ Sot, është ditë për të dëgjuar: ‘Dëgjojeni sot, zërin e Zotit’, u lutëm së bashku. ‘Mos i bëni gur zemrat’. Ta kërkojmë këtë hir: hirin për të dëgjuar, që zemra të mos na ngurtësohet”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.