2017-03-20 18:50:00

Simpozium i Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane: të shoqërojmë të rinjtë


“Ecte me ta (Lk 24,15). T’i shoqërojmë të rinjtë për t’iu përgjigjur lirisht thirrjes së Krishtit”: ky është titulli i udhëzuesit me 12 pika, realizuar nga episkopatet evropiane, në prag të simpoziumit mbi të rinjtë, që do të mbahet në Barcelonë të Spanjës, nga 28 deri më 31 mars. Takimi, i organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore spanjolle dhe me kryedioqezën e Barcelonës, është rast për të reflektuar mbi mënyrën e shoqërimit të të rinjve në udhën e fesë e në formimin e identitetit e të personalitetit. Marrin pjesë rreth 250 ipeshkvij, përgjegjës për baritorinë e të rinjve, për baritorinë shkollore, universitare, përgjegjës për thirrjet dhe për katekizmin nga e gjithë Evropa.

Reflektimi do të bëhet duke ndjekur udhëzuesin, që është fryt i një këshillimi të gjerë ndërmjet episkopateve. Në tekst, për çdo pikë, bëhen një sërë pyetjesh, të cilave u duhet dhënë përgjigje, edhe duke pasur parasysh sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve për të rinjtë dhe thirrjet, që do të mbahet në Vatikan në tetor 2018. “Të rinjtë janë vendimtarë për jetën e Kishës dhe të shoqërisë” nënvizoi Sekretari i përgjithshëm i CCEE-së, imzot Duarte da Cunha, gjatë paraqitjes së takimit të Barcelonës. Ata, shtoi ai, “kanë shumë dhurata për t’i ndarë me të tjerët, dhurata që duhen vlerësuar, si: përkushtimi, krijimtaria, bujaria, dëshira për ta njohur tjetrin dhe për ta mirëpritur, ose dëshira e madhe për të dashur e për t’u dashur, për të njohur të vërtetën e për ta ndjekur atë”. Në këtë kuptim, theksoi imzot da Cunha, “shoqërimi i të rinjve bëhet një mision i bukur, që na beson Jezusi. Vërtet, nuk ka gëzim më të madh për një edukator sa ai që ndjen kur sheh të riun që hyn në marrëdhënie personale me Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.