2017-03-20 13:02:00

Papa: Shën Jozefi na dhashtë aftësinë të ëndërrojmë gjëra të bukura e të mëdha


“Shën Jozefi u dhashtë të rinjve aftësi të ëndërrojnë e të rrezikojnë për t’i realizuar detyrat e vështira, që i panë në ëndrra”. Kështu u shpreh Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.  Në qendër të homelisë, figura e Shën Jozefit, rojtar i ligështive dhe i “ëndrrës së Zotit”, solemniteti i të cilit u zhvendos për sot, sepse 19 marsi përkonte me të Dielën e Kreshmëve.

Shën Jozefi i bindet fjalës së engjëllit, që i duket në ëndërr, e merr me vete Marinë shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt, ashtu siç na e rrëfen Ungjilli i Mateut. Njeri i heshtur, i dëgjueshëm. Kësaj figure ia kushtoi homelinë e sotme Françesku, duke e portretizuar Shenjtin, si njeri, që mbante mbi supe premtimet e të parëve, të trashëgimisë, të atësisë, të bijësisë, të  qëndrueshmërisë:

“E ky burrë, ky ëndërrimtar, i aftë ta pranojë këtë detyrë, ta mbajë këtë barrë të rëndë, ka shumë për të na thënë në këtë kohë, kur ndjehemi kaq jetimë. E kështu ky njeri e merr premtimin e Zotit dhe e çon përpara në heshtje, burrërisht, e çon përpara, sepse Zoti vetë dëshiron që të përmbushet. Shën Jozefi është njeri, që mund të na thotë shumë gjëra, por që nuk flet! Është njeri i fshehur, njeri i heshtjes, që fiton edhe më shumë autoritet pikërisht në atë çast, kur nuk duket. E Papa nënvizoi se punët, që Zoti ia beson zemrës së Jozefit, janë gjëra të ligshta, janë premtime, e premtimi është gjithnjë i ligshtë. E pastaj edhe lindja e fëmijës, ikja në Egjipt, situata ligështie edhe këto. Jozefi i merr në zemër e i çon përpara të gjitha këto ligështi, me shumë, shumë dashuri, ashtu si merret ferishtja në krahë, me dashuri e dhembshuri të madhe:

“Është njeri, që nuk flet, por bindet, njeri i dhembshur e i aftë për t’i çuar përpara premtimet, që të bëhen të qëndrueshme, të sigurta; njeri që garanton qëndrueshmërinë e Mbretërisë së Zotit, atësinë e Zotit, bijësimin tonë me Birin e Zotit. Jozefin më pëlqen ta përfytyroj si rojtar të ligështive, edhe ligështive tona, si njeri të aftë për të bërë të lindin shumë gjëra të bukura nga ligështitë tona, nga mëkatet tona”.

E Jozefi është rojtar i ligështive, që të bëhen të qëndrueshme në fe. Por nuk duhet harruar se këtë detyrë e mori gjatë një ëndrre: është njeri i aftë për të ëndërruar - vërejti Françesku. – E, prej këndej, ëndrra e Zotit për t’i shpëtuar të gjithë, për t’i shpërblyer të gjithë, i besohet pikërisht atij:

“I madh, ky zdrukthëtar!” - brohoriti Papa - hesht, punon, ruan, çon përpara ligështitë e është i aftë edhe për të ëndërruar. Figurë, që e ka një mesazh për të gjithë:

“Unë sot dëshiroj t’i kërkoj të na japë të gjithëve aftësinë për të ëndërruar, sepse kur ëndërrojmë gjëra të mëdha, gjëra të bukura, i afrohemi ëndrrës që ëndërron Zoti për ne! Të rinjve u dhashtë - sepse ishte i ri - aftësinë për të ëndërruar, për të rrezikuar e për të marrë mbi vete detyrat e vështira, që i panë në ëndërr. E ne të gjithëve na dhashtë besnikërinë, që rritet përmes sjelljeve të drejta, e ai ishte i drejtë, rritej në heshtje - fjalëpaktë - e rritej përmes dhembshurisë së njeriut, që është i aftë t’i ruajë ligështitë e veta e edhe ato të të tjerëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.