2017-03-19 09:00:00

U shpall i lum Josef Mayr-Nusser, besimtar laik, martir


Dje, në Bolzano të Italisë, u shpall i lum Josef Mayr-Nusser, besimtar laik, martir në vitin 1945. Meshën e kremtoi i dërguari i Papës Françesku, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato.

I Lumi i ri u lind më 27 dhjetor 1910 në Bolzano. Që i ri, tregoi vëmendje të madhe ndaj të varfërve, duke u bërë anëtar i Konferencave të Shën Vinçencit. U formua duke lexuar autorët e mëdhenj shpirtërorë. Hyri në Veprimin Katolik, pikërisht kur shoqata kundërshtohej fuqishëm nga regjimi fashist. U martua në vitin 1942 dhe pati një fëmijë, Albertin. I rekrutuar me forcë në ushtrinë naziste, më 4 tetor 1944, deklaroi haptas se nuk do t’i betohej për besnikëri Hitlerit, sepse nuk dëshironte ta zëvendësonte kultin e Zotit me atë të kreut politik gjerman. Gjatë transferimit për na kampin e Dakaut, më 24 shkurt 1945, vdiq nga dizanteria dhe ethet. Kujtimi i tij liturgjik bie më 3 tetor, një ditë para përvjetorit të asaj date, kur vendosi t’i bindej Krishtit e jo Hitlerit. Varri i tij, që nga viti 1958, ndodhet në kishën e Shën Jozefit në Stella di Renon.








All the contents on this site are copyrighted ©.