Të Premten e Madhe, që sivjet do kremtohet më 14 prill, në të gjitha Kishat do të mblidhen përsëri Ndihma për Tokën Shenjte. Kardinali Leonardo Sandri, Prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore, u drejtoi barinjve të mbarë botës një Letër, përmes së cilës u përcjell mirënjohjen e thellë të Papës Françesku për këtë nismë.
Bashkësia e vogël, e pranishme në Lindjen e Mesme, ka nevojë ta ndjejë mbështetjen dhe afërsinë e mbarë Kishës. Me këto fjalë kardinali Leonardo Sandri i nxit besimtarët të tregohen bujarë në rastin e ndihmave, që do të mblidhen për Tokën Shenjte, të luten vazhdimisht për besimtarët e këtyre viseve e të mos ua kursejnë ndihmën ekonomike konkrete. Nuk duhet harruar kurrë - shkruan - çka e lidh Kishën Universale me Kishën Amë të Jeruzalemit.
Sot nuk është aspak e lehtë ta jetosh fenë në Lindjen e Mesme
Nga ana tjetër - vëren - ta jetosh sot fenë e krishterë në Lindjen e Mesme nuk është aspak e lehtë, posaçërisht në Irak, Siri dhe Egjipt, ku të krishterët lidhen edhe më ngushtë përmes ekumenizmit të gjakut - kujtuar shumë e shumë herë nga Papa Françesku – e ku u duhet të luftojnë ditë për ditë kundër tundimit, që i nxit ta braktisin tokën e tyre e shpesh, edhe fenë. E jeta nuk është aspak e lehtë edhe në vendet e tjera të rajonit, ku gjithnjë më shpesh të krishterëve u duhet t’u nënshtrohen - shpjegon prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore - formave të shtypjes e të diskriminimit, që i minojnë kushtet e tyre të jetesës. Ta mbash gjallë shpresën në këto rrethana, është fjalë goje, por njëkohësisht, tejet e rëndësishme.
Vlera e Viseve Shenjte
Papa - nënvizon Prelati i lartë - në qershorin e kaluar, me rastin e Asamblesë së Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roaco), duke folur për restaurimin e Bazilikës së Lindjes së Krishtit në Betlehem si dhe të Edikolës në Varrin Shenjt të Jeruzalemit, pati kujtuar jo vetëm vlerën e pranisë së Kishës në Tokën Shenjte, por edhe mirëmbajtjen e Viseve Shenjte e të shenjtëroreve, falë edhe ndihmave që mblidhen të Premten e Madhe. E me lëmoshën e të gjithëve, katolikë e jo, punimet në dy vende, “pasuri e përbashkët e krishterimit”, kanë arritur rezultate të dukshme.
Ndihmë, pa asnjë dallim
Falë bujarisë së Kishës mbarë - shton kardinali Sandri - bashkësitë katolike të Tokës Shenjte, ajo latine e Jeruzalemit, e Rojtarisë françeskane e bashkësitë e qarqeve të tjera, munden, gjithashtu, t’i ndihmojnë të varfërit e të vuajturit e të gjitha feve dhe etnive, pa bërë kurrfarë dallimi. Shembull në këtë drejtim është shërbimi i famullive, që i kushtojnë vëmendje të dorës së parë të varfërve. Janë shkollat, si vend ku takohen të krishterë e myslimanë, për të përgatitur së bashku një ardhmëri plot respekt e bashkëpunim. Janë spitalet dhe ambulancat, strehët dhe qendrat e takimit, që mirëpresin të vuajtur e nevojtarë, të shpërngulur e refugjatë, njerëz të të gjitha feve e moshave, të tronditur thellë nga tmerret e luftës. Sidomos, mijëra fëmijë e adoleshentë në moshën shkollore, të ikur nga dhuna e persekutimi në Siri e Irak, të cilëve shkollat e krishtera ua hapin dyert për të vijuar mësimet, falë pikërisht “Ndihmave për Tokën Shenjte”.
Paqja mbretëroftë në zemrat e të gjithëve
Në këto ditë, kur përgatitemi për Pashkë, kardinali Sandri uron të angazhohemi më shumë se kurrë për t’u bërë artizanë të paqes, duke u lutur e duke dhënë ndihmesën tonë, që paqja të “banojë” në zemrën e çdo njeriu, e posaçërisht, në zemrat e vëllezërve e të motrave tona të Tokës Shenjte. Të gjithë kemi nevojë për ta!
Shumat e caktuara për restaurimet
Sipas njoftimit të Rojtarisë së Tokës Shenjte, Selia e Shenjtë ka ofruar një kontribut prej 500.000 dollarësh për punimet e restaurimit, që po realizohen në Bazilikën e Lindjes së Krishtit, në Betlehem e dëshiron të kontribuojë edhe për restarimin e Varrit Shenjt, në Jeruzalem, duke caktuar 500.000 dollarë të tjerë për fazën e parë të punimeve rreth Edikolës së Varrit Shenjt.
All the contents on this site are copyrighted ©. |