2017-03-17 12:49:00

Një-vjetori i Papës në Instagram. Imzot Ruiz: dëshmitar i mëshirës edhe në rrjetet shoqërore


Më 19 marsin e vitit të kaluar, Papa Françesku hapi faqen e tij në Instagram, @Franciscus, ku vendos fotografi dhe video. Pas një viti, faqja ndiqet nga më se 3,5 milion vetë e çdo javë, fotografitë e publikuara shihen mesatarisht nga 10 milion vetë. Mbi rëndësinë e pranisë së Atit të Shenjtë në rrjetet shoqërore, intervistuam sekretarin e Sekretarisë vatikanase për Komunikimin, mons. Lucio Adrian Ruiz, i cili e nis reflektimin e tij nga takimi i Papës me themeluesin e Instagramit, Kevin Systrom, para një viti:

Para një viti po nisnim faqen tonë në Instagram. Kujtimet janë të shumta. Ka qenë periudhë e pasur. Por, gjëja më e bukur nga të gjitha, ka qenë takimi me Atin e Shenjtë, kur Kevin Systrom erdhi për t’i paraqitur idenë Papës, me objektivin kryesor për të komunikuar përmes imazhit. Ati i Shenjtë foli për teologjinë e imazhit, si e ka përjetuar gjithmonë Kisha imazhin si mënyrë për të qenë afër njerëzve e madje, për t’u bërë katekizëm atyre. Ai tregonte për pikturat në kisha e tha: “Është kaq i rëndësishëm imazhi në botë sa kur u afrohem fëmijëve, ata nuk duan të më flasin, sepse u vjen turp, por gjithnjë më sjellin një vizatim e unë i pyes: ‘Çfarë do të thotë ky vizatim?’ Atëherë, u vjen goja e duhet t’i ndalësh, sepse fillojnë të të tregojnë shumë gjëra për veten…”. Mënyra për të hyrë në dialog kalon nga imazhi, pati thënë Papa, prandaj projektin duhet ta bëjmë.

Papa Françesku hyri në Instagram me këtë mesazh: “Dua t’ju shoqëroj në udhën e mëshirës e të ëmbëlsisë së Zotit”. Ishte Jubileu i Mëshirës. A është e mundur, sipas jush, të shprehet kjo ëmbëlsi edhe përmes rrjeteve shoqërore?

Absolutisht, po. Në përgjigjet që i ndjekim përditë, edhe për t’i dhënë Atit të Shenjtë një përmbledhje të shkrimeve të miliona njerëzve - natyrisht, pikat më të rëndësishme - e kemi vënë re se njerëzit e kanë pranuar me entuziazëm këtë ide. Të bën përshtypje kur, nën fotografitë ku Papa puth një të sëmurë, e përqafon, e bekon, ka shprehje si: “Ky përqafim është edhe i imi… Faleminderit për këtë përqafim: sot kisha nevojë për të”. Njerëzit, kur shohin Papën, që përqafon dikë, ndjehen sikur i përqafon ata vetë. E ka njerëz, që ndodhen në spital, të tjerë që s’kanë mundësi të vinë në Romë për ta takuar Atin e Shenjtë, prandaj, e jetojnë atë shprehje të vogël digjitale si përvojë personale.

A ka ndonjë imazh, që ju ka mbetur në mend e që ju ka bërë më shumë përshtypje, gjatë këtij viti të Papës në Instagram?

Kur lutet, sepse transmeton ndjenjën e misterit të përqafimit të Zotit. Kur postojmë në internet atë çast, edhe reagimi i njerëzve është mbledhja rreth lutjes. Ka edhe fotografi të tjera, që prekin shumë, për shembull, kur përkëdhel dikë, një të moshuar, një të sëmurë, një fëmijë: janë përqafimet e përzemërta, që kthehen në një teologji të trupit, jetuar me thjeshtësi.








All the contents on this site are copyrighted ©.