2017-03-17 15:31:00

Atë Cantalamessa: hyjnia e Krishtit në qendër të fesë sonë


Sot paradite, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, predikimi i dytë i Kreshmëve mbajtur nga atë Raniero Cantalamessa, para Papës dhe Kuries Romake. Duke vijuar reflektimin me temë “Shpirti Shenjt na prin në misterin e hyjnisë së Krishtit”, predikatari i Shtëpisë papnore vuri në dukje besimin e përhershëm të Kishës në hyjninë e Krishtit dhe shpjegoi ç’kuptim ka ky besim për secilin prej nesh.

Pikënisje për reflektimin e atë Cantalamess-ës, ishte shpallja e fesë, apo Besojma e Nikesë, mbi Krishtin. Nëse shpallja “Besoj në një Zot të vetëm, Jezu Krishtin” - pohoi - ishte e mjaftueshme në rrethet biblike e judaike për të përligjur kultin e Jezusit si Zot, nuk ishte më brenda botës greko-romake e cila, duke qenë pagane, njihte disa “zota”. Prej këndej ishte më se e nevojshme shtesa: “...të lindur prej Atit para të gjithë shekujve.

Hyj prej Hyjit, Dritë prej Dritës, Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë. I lindur, jo i krijuar, i njëgjëjtë me Atin”. Po ky nuk është ndonjë zbulim, Kisha besoi gjithnjë në hyjninë e Krishtit. Etërit e Koncilit të Nikesë nuk bënë tjetër, veçse të zhduknin vëshirësitë, të cilat pengonin për njohjen e plotë të kësaj hyjnie. Prej këndej - kujtoi atë Cantalamessa - në çdo epokë e kulturë  Krishti duhet shpallur “Zot”, në kuptimin më të fuqishëm që mund të ketë në këtë kulturë fjala “Zot”. E kjo siguri, sipas Atanasit dhe teologëve të tjerë ortodoksë, vjen nga vetë jeta, nga reflektimi që Kisha, falë veprimit të Shpirti Shenjt, bën për shëlbimin në Krishtin Jezus.

Feja e të krishterëve - pohoi atë Cantalamessa  - është hyjnia e Krishtit. Duhet pyetur, atëhere, ç’vend zë Jezu Krishti në shoqërinë tonë e në vetë jetën e të krishterëve? Nga njëra anë, në kulturën tonë, shumë flasin për Të, përmes librave, filmave:

“Por, nëse shikojmë në fushën e fesë, së cilës Ai i përket në radhë të parë, ne vërejmë, përkundrazi, një mungesë shqetësuese, për të mos thënë refuzimin e Vetjes së Tij. Në çka besojnë, në të vërtetë, ata që quhen ‘besimtarë’ në Evropë? E edhe gjetiu? Besojnë, në shumicën e rasteve, në ekzistencën e një qenjeje të tejetlartë, të një krijuesi, besojnë se ekziston ‘një jetë e përtejme’. Por kjo është fe deistike, nuk është ende fe e krishterë. Kërkime të ndryshme shkencore sociologjike flasin për këtë edhe në vendet me traditë të lashtë kristiane. Jezu Krishti, praktikisht, është mungues në këtë tip  besimi”.

E nevojshme, prandaj - shtoi predikatari - të rikrijohen kushte për  besimin pa asnjë rezervë në hyjninë e Krishtit. Jezusi ka thënë: “Unë jam drita e botës”. “Unë jam udha, e vërteta, jeta!”. E ne - theksoi atë Cantalamessa - jemi të thirrur t’i themi me përvujtëri botës së sotme: “Ajo, që ju e kërkoni, nësa ecni duke prekur, si të verbërit, ne po jua kumtojmë” Por Jezusi ka thënë edhe: “Lum sytë që shikojnë, çka ju e shihni!”.

Nëse nuk kemi reflektuar kurrë seriozisht sesa fat patëm që besojmë në Krishtin, ndoshta tani është rasti për ta bërë këtë. E nëse, akoma, nuk e ndjejmë  veten të aftë të themi se Jezusi na bëri të lum, është mirë ta pyesim veten: “Pse? Ç’e pengoi Zotin për të na e dhuruar lumninë?”.








All the contents on this site are copyrighted ©.