2017-03-16 14:56:00

Papa Françesku: indiferenca ndaj të varfërit është korrupsion


Kujdes, nuk duhet të hyjmë në rrugën, që nga mëkati të çon në korrupsion. Ky ishte paralajmërimi i Papës Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Papa mori shkas nga Ungjilli i sotëm sipas Lukës 16,19-31, në të cilin Krishti tregon shembëlltyrën e të pasurit dhe të Lazrit të varfër, për të nënvizuar se edhe sot, si atëherë, nuk duhet të mbyllemi në vetvete e të mos pyesim për të varfërit, që na trokasin në derë.

I pasuri nuk e sheh të varfërin

“Shqyrtoje o Zot, zemrën time. Shiko nëse eci në rrugën e gënjeshtrës e më drejto kah rruga e jetës”. Papa Françesku përdori antifonën e sotme e, pastaj, komentoi Psalmin 1, për të vënë në dukje se njeriu, që i beson vetëm vetvetes apo vetëm njerëzve, bëhet mendjemadh e mbushet me pasuri, por nuk vlen sa ai, që ia beson veteven Hyjit. Zemra e njeriut, paralajmëroi Ati i Shenjtë, është e pabesë, prandaj bëhet e rrezikshme. Njeriu i mbyllur në pasurinë e në ambientin e vet, merr frymë në atë ajër të prishur dhe sheh vetëm sigurinë e vet, plotësimin e kënaqësive të veta, duke humbur kështu busullën e jetës, aq sa nuk e kupton më ku e ka kufirin. Kështu i ndodh të pasurit, për të cilin flet Ungjilli sipas Lukës. Ai bënte festë pas feste e nuk pyeste për Lazrin e varfër, që lypte një kafshatë bukë në pragun e portës:

“Ai e dinte kush ishte ai varfanjak: e dinte. Sepse pastaj, kur flet me Abrahamin, i thotë: ‘Më dërgo Lazrin’. Pra, e dinte edhe si quhej, por nuk pyeste për të. A ishte mëkatar? Po. Por nga mëkati mund të dilet: kërkohet falje e Zoti të fal. Këtë e pati çuar zemra në rrugën e vdekjes, deri në atë pikë, sa nuk mund të kthehej mbrapsht. Ka një pikë, ka një çast, ka një kufi, nga i cili vështirë të kthehesh pas: kjo ndodh kur mëkati kthehet në korrupsion. Ky njeri nuk ishte mëkatar, ishte i korruptuar. Sepse e njihte mjerimin, por nuk pyeste, ishte i lumtur kështu”.

Çfarë ndjejmë kur shohim një të pastrehë në rrugë?

“Mallkuar qoftë njeriu, që beson në vetvete, që beson në zemrën e vet – nënvizoi më tej Papa, duke cituar Psalmin 1. Asgjë s’është më e pabesueshme se zemra e njeriut, e cila shërohet me vështirësi”. Kur të ka kapur sëmundja, është e vështirë të shërohesh, puna është të mos e lësh sëmundjen të të afrohet, tha Ati i Shenjtë Bergoglio, i cili pyeti:

“Çfarë ndjejmë në zemra kur ecim në rrugë e shohim të pastrehët, shohim fëmijët e vetmuar, që kërkojnë lëmoshë? … ‘Jo po këta janë nga një etni, që vjedhin…’, e ç’bëj…sikur nuk i shoh? Të pastrehët, të varfërit, të braktisurit, edhe ata të pastrehë të veshur mirë, që nuk kanë para për të paguar qeranë, sepse s’kanë punë… çfarë ndjej unë? Kjo është pjesë e panoramës, e pamjes së një qyteti, njëlloj si shtatorja, stacioni i autobuzit, zyra e postës…edhe të pastrehët janë pjesë e qytetit? A është normale kjo? Kini kujdes. Të kemi kujdes. Kur këto gjëra i duken normale zemrës suaj – ‘epo kështu është jeta… unë ha e pi, por për të mos u ndjerë edhe aq fajtor, jap një ofertë e iki tutje’ – udha e ndërmarrë nuk është e mirë”.

Mëkatari kthehet mbrapsht, por i korruptuari mbyllet në vetvete

Papa Françesku theksoi nevojën për ta kuptuar kur jemi në udhën, që nga mëkati na çdo drejt korrupsionit. Çfarë ndjej, pyeti prapë, kur në emisionin e lajmeve shoh se ka rënë një bombë mbi një spital e kanë vdekur shumë fëmijë? Them një lutje e vazhdoj të jetoj sikur s’ka ndodhur asgjë? A hyn kjo në zemrën time, apo jam si ai i pasuri me Lazrin? Sepse nëse sillem si ai, jam në udhën e korrupsionit:

“Prandaj, t’i lutemi Zotit: ‘Shqyrtoje o Hyj, zemrën time. Shiko nëse rruga ime është e gabuar, nëse jam në atë udhë rrëshqitëse nga mëkati në korrupsion, nga i cili nuk mund të kthehem më mbrapsht’… Zakonisht, mëkatari, nëse pendohet, kthehet mbrapsht; i korruptuari e ka të vështirë, sepse mbyllet në vetvete. ‘Shqyrtoje o Zot, zemrën time’: kjo të jetë lutja e sotme. ‘E më jep të kuptoj se në ç’udhë jam, në ç’udhë po eci”.








All the contents on this site are copyrighted ©.