2017-03-15 14:08:00

Selia e Shenjtë: në Siri; masakër e kotë, bashkësia ndërkombëtare përgjegjëse


Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës bëri dje një thirrje të zjarrtë për Sirinë. Pas gjashtë vjetësh nga fillimi i konfliktit, imzot Ivan Jurkoviç denoncoi se bota është dëshmitare e një masakre pa fund.

Në sesionin e 34-t të Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, imzot Jurkoviç foli për vitet e dhunës, që kanë shkaktuar qindra mijëra viktima e të plagosur; kanë shkatërruar infrastruktura, shkolla, spitale e vende kulti; kanë fshirë nga faqja e dheut qytete të tëra, duke e detyruar popullsinë të vuajë për bukë e për mungesën e kurave mjekësore.

Solidariteti i Selisë së Shenjtë

“Selia e Shenjtë – phoi prelati – dëshiron të shprehë solidaritetin e saj me popullin sirian e, në veçanti, me viktimat e dhunës. Gjithashtu, inkurajon bashkësinë ndërkombëtare ta shikojë gjendjen nga perspektiva e të shtypurve. Gjashtë vjet masakrimi pa asnjë rezultat tregojnë edhe një herë iluzionin dhe kotësinë e luftës, si mjet për të zgjidhur kundërshtitë”. Ambicia për pushtet politik dhe interesat egoiste, me bashkëfajësinë e atyre që nxisin dhunë dhe urrejtje, si edhe shitja e armëve, që nga viti 2011, kanë shkaktuar një eksod prej 5 milion njerëzish nga Siria. Në vend vuajnë 13,5 milion njerëz të tjerë, gjysma e të cilëve janë fëmijë, ngriti zërin imzot Jurkoviç.

Fëmijët nuk njohin tjetër, përveçse luftës

Vëzhguesi i Vatikanit kërkoi dialog në të gjitha nivelet dhe theksoi se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për gjendjen në Siri. “Është e papranueshme – tha – që fëmijët të paguajnë çmimin më të lartë”. Disa prej tyre nuk njohin tjetër, përveçse luftës. Shumë janë lindur nën bombardime. Vuajnë nga presione psikologjike. Rrallë e tek buzëqeshin dhe mundimi shihet qartë në sytë e tyre të frikësuar. Zgjohen me “zilen” e shpërthimeve, të bombave e të raketave.

Bashkësia ndërkombëtare ka dështuar

Gjashtë vjet konflikti, vijoi imzot Jurkoviç, tregojnë për dështimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë e familjes së kombeve. Pavarësisht nga feja dhe etnia, kërkoi prelati, të gjithë sirianët duhet të mbrohen dhe pakicat etnike dhe fetare nuk duhet të kthehen në gurë shahu në arenën gjeopoltike të rajonit, por të përfshihen me të gjitha të drejtat e përgjegjësitë në procesin e paqes. “Dinjiteti i çdo njeriu – përfundoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë – duhet të ketë përparësi mbi çdo pushtet e hakmarrje. Vuajta e padrejtë e viktimave të pafajshme të kësaj masakre pa kuptim duhet t’i motivojë të gjitha palët të impenjohen në një dialog serioz e të punojnë për një ardhmëri në paqe e drejtësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.