2017-03-15 13:08:00

Papa: ka shumë dashuri me interes, por të duash me të vërtetë, është dhuratë e Zotit


Thirrja më e lartë është të duam Zotin e të afërmin, por ka rrezik që dashuria jonë të jetë hipokrite, dashuri telenovele. Papa komentoi Letrën e Shën Palit drejtuar Romakëve, duke kujtuar që gëzimi i shpresës buron pikërisht nga vetëdija se edhe kur dështojmë e dëshpërohemi, Zoti është pranë nesh. Dashuria e Tij nuk na mungon kurrë!

Hipokrizia mund të depërtojë edhe në mënyrën sesi duam, kur, për shembull, "veprat e mëshirës i bëjmë për interes, ose për t’u dukur, për t’u kapardisur, për t’i treguar botës sa të shkathët jemi, sa të mençur. - “Sa shumë dashuri me interes ka në këtë botë!” - vërejti me keqardhje Françesku në katekizëm. Për Papën, pas kësaj sjelljeje, fshihet ideja e rreme, sipas së cilës i duam të tjerët, ngaqë ne vetë jemi të mirë, si të ishte dashuria prodhim i dalë nga zemra jonë:

“Dashuria e krishterë është hir, është dhuratë; mundësia për të dashur është dhuratë e Zotit, e duhet kërkuar. E Ai na e jep begatisht, nëse ne ia kërkojmë. Dashuria është hir: nuk është përpjekje për t’u dukur, për t’i treguar botës kush jemi, sa të mirë jemi, sa na vlen lëkura! Është hir, që na e dhuron Zoti e që ne e pranojmë me liri të plotë: dashuria nuk mund të shprehet në takimin me të tjerët, nëse më përpara nuk lind nga takimi me fytyrën e butë e të mëshirshme të Jezusit.

T’i kërkojmë Zotit dashurinë për vëllezërit: dashuria është dhuratë, nuk lind nga ne

Shën Pali - kujtoi Papa - na fton të pranojmë se jemi mëkatarë, por na përcjell edhe një kumt shprese: i kemi të gjitha mundësitë për t’u bërë mjete të dashurisë së Zotit, duke e lënë Krishtin e Ngjallur të na i përtërijë zemrat:

“Zoti i ngjallur, që jeton mes nesh, që jeton me ne, është i aftë ta shërojë zemrën tonë: e shëron, nëse ia kërkojmë. Është Ai, që na bën, ndonëse në vogëlsinë e varfërinë tonë, ta provojmë mëshirën e Atit e edhe t’i kremtojmë mrekullitë e dashurisë së Tij. E atëhere kuptohet se gjithçka që mund të jetojmë e të bëjmë për vëllezërit, nuk është tjetër, veçse përgjigje e asaj, që Zoti ka bërë e vijon të bëjë për ne”.

Është pra, Zoti vetë, i cili duke banuar në zemrat tona, vijon t’i shërbejë njeriut që takojmë, posaçërisht kur jemi para nevojtarëve. E është hir edhe kur provojmë se nuk e jetojmë Urdhërimin e dashurisë ashtu si duhet ta jetonim, ngaqë kjo përvojë na bën të kuptojmë se ne vetë nuk jemi kurrë në gjendje të duam me të vërtetë. Kemi gjithnjë nevojë që Zoti ta përtërijë këtë dhuratë në zemrat tona.

Na mbush me gëzim shpresa se dashuria e Zotit është më e fortë edhe se dështimet

Atëherë nisim t’i vlerësojmë përsëri gjërat e vogla e bëhemi të aftë t’i duam të tjerët, ashtu si i do vetë Zoti, domethënë, duke ua dashur të mirën, duke dëshiruar të jenë miq të Zotit, të jenë “shenjtorë”. E kështu do të kënaqemi dhe kur të përkulemi tek këmbët e vëllezërve:

“Vëllezër të dashur, çka na kujtoi Shën Pali Apostull, është sekreti për të qenë - po përdor fjalët e tij - është sekreti për të qenë ‘të gëzueshëm  në shpresë’. Të gëzueshëm në shpresë, nga që e dimë se në çdo rrethanë, edhe në rrethanat më të errëta, edhe në dështimet tona, nuk na mungon kurrë dashuria e Zotit”. 

Në përfundim të audiencës, në përshëndetjet drejtuar shtegtarëve të gjuhës arabe, posçërisht të ardhurve nga Siria, Libani e Lindja e Mesme, Françesku kujtoi se “dashuria e jetuar me hipokrizi është edhe më e rëndë se urrejtja, sepse s’është tjetër, veçse egoizëm i fshehur pas maskës së dashurisë”. Papa e përfundoi katekizmin me një ftesë për Kreshmë: i ftoi, pra, besimtarët të agjërojnë jo vetëm duke hequr dorë nga ushqimet, por kryesisht nga zakonet e këqija.

Përshëndetja prekëse drejtuar familjes kineze

Para fillimit të audiencës, në fund të rrotullimit me makinë rreth Sheshit të Shën Pjetrit, për t’u takuar sy për sy me shtegtarët e panumërt, të pranishmit jetuan një çast shumë prekës: Papa iu afrua një familjeje kineze, u ndalua aty pranë dhe e bekoi: nëna qante nësa merrte bekimin nga dora e vetë Papës: ëndërr e dashur për çdo të krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.