2017-03-14 12:54:00

Papa: kthimi kah Zoti bëhet me vepra e jo me fjalë


Të largohemi nga e keqja, të mësojmë si të bëjmë mirë e ta lemë veten në dorën e Zotit: kjo është udha e kthimit krezhmor kah Zoti, për të cilën foli Papa Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Kthim zemrash, që nuk bëhet me fjalë, por me vepra konkrete, nënvizoi Ati i Shenjtë.

Etapat e rrugës për t’u larguar nga e keqja

Papa u nis nga fjalët e Isaisë profet, në Leximin e parë të sotëm. Si të largohemi nga e keqja dhe si të mësojmë të bëjmë mirë: ky është thelbi i këshillave të Isaisë, që përvijon etapat e rrugës. Çdo ditë bëjmë diçka të keqe, vërejti Françesku. Edhe Bibla thotë se njeriu më i shenjtë mëkaton shtatë herë në ditë. Problem është kur nuk i shohim të këqiat, që bëjmë, kur mësohemi me to dhe e helmojmë shpirtin, duke u bërë shpirtvogël. Prandaj, të bësh mirë do të thotë të ushtrohesh përditë në këtë virtyt:

“Nuk është e lehtë të bësh mirë: duhet të mësojmë, gjithmonë. E Zoti na mëson. Por duhet mësuar! Si fëmijët. Në rrugën e jetës, të jetës së krishterë, mësojmë çdo ditë. E çdo ditë duhet të mësojmë të bëjmë diçka të re, të jemi më të mirë se më parë. Të mësojmë! Të largohemi nga e keqja dhe të mësojmë të bëjmë mirë: kjo është rregulla e kthimit kah Zoti. Sepse për të ndryshuar nuk mjafton të shkosh tek ndonjë zanë me shkop magjik: jo! Është udhë. Është udha e largimit dhe e mësimit”.

Vepra, jo fjalë

Duhet guxim për t’u larguar nga e keqja dhe përvuajtëri për të mësuar si të bëjmë mirë, me vepra konkrete e jo me fjalë, theksoi Ati i Shenjtë:

“Ai, Zoti, këtu përmend tre gjëra konkrete, por ka shumë: kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, jepini ç’i takon jetimit, mbroni kauzën e vejushave… këto janë gjëra konkrete. Mësojmë të bëjmë mirë përmes veprave konkrete, jo me fjalë. Me fakte… Prandaj, në Ungjillin që dëgjuam, Jezusi e kritikon klasën drejtuese të popullit të Izraelit, sepse ‘thonë e nuk bëjnë’, nuk i njohin veprat. E nëse nuk ka vepra konkrete, nuk mund ta kthejmë zemrën kah Zoti”.

Të ngrihemi në këmbë me ndihmën e Zotit

Pastaj, Leximi i parë nga Isaia profet, vijon me frazën “Çohuni, ejani ta pleqërojmë”. “Çohuni” është fjala që Jezusi u tha paralitikëve, bijës së Jairit dhe birit të vejushës së Nainit. Zoti na ndihmon të çohemi. E madje, është edhe i përvuajtur, sepse na fton të diskutojmë me Të. Zoti na merr për dore, vijoi Papa, e bën mrekullinë e ndryshimit brenda nesh, jo për një ditë, por për udhë:

“Ftesë për t’u kthyer, për t’u larguar nga e keqja, për të mësuar si të bëjmë mirë… ‘Çohuni, ejani tek unë, ta pleqërojmë punën e të ecim përpara’. ‘Por, kam shumë  mëkate…’. ‘Mos u shqetëso: nëse mëkatet e tua janë kuq si gjaku, do të bëhen bardh si bora’. Kjo është udha e kthimit krezhmor kah Zoti. E thjeshtë! Është Ati Qiellor që flet, është një Atë, që na do fort e fort. E na shoqëron në udhën e ndryshimit. Vetëm se kërkon prej nesh të jemi të përvuajtur. Jezusi u thotë drejtuesve: ‘Kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet’”.

Papa Françesku e përfundoi homelinë, duke nënvizuar edhe një herë cila është udha e kthimit kah Zoti gjatë Krezhmëve: të largohemi nga e keqja, të mësojmë si të bëjmë mirë, të çohemi në këmbë e të ecim me Hyjin. Vetëm atëherë “mëkatet tona do të na falen të gjitha”.








All the contents on this site are copyrighted ©.