2017-03-11 17:53:00

Françesku: ta dëgjosh tjetrin, në një botë ku shtohet vetmia


Përmes dialogut e mundim frikën nga tjetri dhe ndërtojmë ura komunikimi të vërtetë. Kështu u shpreh sot Papa në takimin me vullnetarët e “Telefono Amico Italia”, të cilët i priti në Vatikan, me rastin e 50-vjetorit të veprimtarisë. Papa pohoi se është e nevojshme të shemben muret e moskuptimit, në përpjekjen për ta bërë botën një vend më të mirë e më mikpritës për të gjithë.

Ta dëgjosh tjetrin, me nevojat e tij, në një botë, që duket gjithnjë më indiferente! Papa e mori shtytjen nga audienca me vullnetarët e “Telefono Amico Italia” (Telefoni Mik Italian), për t’u ndaluar edhe një herë tek kushtet e vetmisë e të humbjes së shpresave, në të cilat jetojnë shumë njerëz, sidomos banorët e qyteteve të mëdha.

Jetojmë në qytete të mëdha, ku mësohemi me indiferencën

Ja pse është i nevojshëm shërbimi i dëgjimit, “në rrethana shoqërore”  plot shqetësime, që zakonisht burojnë nga izolimi e nga mungesa e dialogut:

“Qytetet e mëdha, megjithëse të mbipopulluara, janë simbol i një jete pak  njerëzore, me të cilën njerëzit po fillojnë të mësohen: indiferencë e përhapur, komunikim gjithnjë më shumë virtual e më pak personal, mungesë vlerash të qëndrueshme, mbi të cilat mund të ngrihen themelet e jetës, kulturë e pasjes dhe e dukjes. Në rrethana të tilla, është e domosdoshme të favorizohet dialogu e dëgjimi”.

Dialogu na ndihmon ta shikojmë tjetrin si dhuratë, jo si kërcënim

Dialogu - shtoi Françesku - krijon mundësi për t’i njohur e për t’i kuptuar nevojat reciproke. Të dialogosh - vijoi - do të thotë t’ia hapësh zemrën të tjerëve, duke shkëmbyer aspektet më të mira. Dialogu është shprehje e dashurisë së krishterë edhe pse, pa i mohuar ndryshimet, mund të ndihmojë  për të rikërkuar e për të ndarë bashkë udhët, që çojnë në arritjen e së mirës së përgjithshme:

“Përmes dialogut mund të mësojmë të mos e shikojmë tjetrin si kërcënim, por si dhuratë e Zotit, që kërkon të pranohet. Dialogu i ndihmon njerëzit të krijojnë marrëdhënie më njerëzore e t’i kapërcejnë keqkuptimet. Nëse do të kishte më shumë dialog - dialog të vërtetë - në familjet, në mjediset e punës, në politikë, problemet do të zgjidheshin shumë më lehtë”.

Të dëgjohet tjetri, për t’i shembur muret e keqkuptimeve

Papa vijoi të vërejë se “kushti për të dialoguar, është aftësia për të dëgjuar”. Ta dëgjosh tjetrin - kujtoi - kërkon durim e vëmendje. Vetëm kush di të heshtë, di edhe të dëgjojë, sepse nuk mund të dëgjojë, duke folur. Të dëgjojë Zotin, vëllezërit, motrat, që kanë nevojë për ndihmë, të dëgjosh një mik, një familjar:

“Zoti vetë është shembulli më i shkëlqyer i dëgjimit: sa herë i lutemi, Ai na dëgjon, pa kërkuar asgjë, madje na paraprin, duke e marrë vetë nisiativën i pari (cfr Nxitja Ap. Evangelii gaudium, 24) kur është fjala për të dëgjuar britmën tonë për ndihmë. Aftësia për të dëgjuar, model i së cilës është vetë Zoti, na nxit t’i shembim muret e të krijojmë ura komunikimi, duke e kapërcyer izolimin dhe mbylljen në botën tonë të vogël. Dikush ka thënë: për të bërë paqe në botë, mungojnë veshët, mungojnë njerëzit që dinë të dëgjojnë e pastaj, prej aty vjen dialogu”.

Papa e përfundoi fjalën e tij duke e inkurajuar Telefonin Mik Italian të japë ndihmesën e vet për ndërtimin e një bote më të mirë, duke e bërë vend mikpritjeje e respekti:

“Askush të mos mbetet i izoluar - bëri thirrje Papa - angazhohuni që të mos këputen kurrë lidhjet e dialogut e të mos mungojë dëgjimi, shprehja më e thjeshtë e bamirësisë ndaj vëllezërve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.