2017-03-11 18:01:00

Falënderimi i kardinalit Nichols Papës për 4 vjetët e Papnisë


E falënderojmë Zotin për pasurinë e dhuratave dhe të fryteve të Shpirtit Shenjt, që janë karakteristika të Papnisë: gëzim, paqe, durim, mirësjellje, besnikëri, maturi, mëshirë… Kështu shkruan kardinali Vincent Gerard Nichols në një letër, me rastin e 4 vjetorit të zgjedhjes së Papës Françesku. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë e të Uellsit, ndërmjet tjerash, e falënderon Papën Françesku për mënyrën si i paraqet, me fjalë e me vepra, mësimet e Krishtit e të Kishës.  Këto mësime - shton Hirësia e Tij - karakterizohen nga freskia e nga vetvetishmëria, që tërheq vëmendjen e botës.

Kardinali Nichols: Zoti i dhashtë Papës forcë e guxim

Të lutemi që Zoti - shkruan më së fundi kardinali Nichols - t’i japë forcë e guxim Papës  për vijimin e shërbesës së tij Papnore.

Për t’u kujtuar ftesa: “Të lutemi gjithnjë njëri për tjetrin!”

Kardinali Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papë më 13 mars 2013. I 265-ti Pasardhës i Shën Pjetrit, u ul në fronin papnor një muaj pas dorëheqjes historike së Papës Benedikti XVI.

“Tani - pati thënë Papa Françesku mbrëmjen e 13 marsit - po nisim këtë udhë: Ipeshkvi e populli! Këtë udhë të Kishës së Romës, që i prin në dashuri të gjitha Kishave. Udhë vëllazërimi, dashurie, besimi ndërmjet nesh. Të lutemi gjithnjë për ne: njëri për tjetrin!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.