2017-03-11 15:21:00

E Diela II e Kreshmëve: Shndërrimi e Kryqëzimi


Do të desha të isha edhe unë, o Zot,

ngjitas me Ty,

mbi Malin ku u shndërrove në dritë.

Do të desha të isha krah për krah

me Pjetrin e Jakun e Gjonin.

Ta shihja fytyrën tënde të bërë rreze,

si rreze dielli…

e ta dëgjoja dhe zërin e Atit!

Do të ishte çast që s’harrohet,

çast, kur krejt pa lëkundje

unë do të besoja se Ti je Zoti im!

 

S’kam turp ta them se dëshiroj

t’i shoh e t’i prek me dorën time

shenjat e mrekullisë,

t’i dëgjoj fjalët, që jehojnë nga lart.

Dua prova, o Zot,

që s’mund t’i mohojë askush!

Atë ditë e mbi atë mal

do të më zhdukej çdo dyshim.

Çdo frikë e çdo hije, o Zot

do të mundej nga drita jote.

E do të më pëlqente

të ngjisja krejt me Ty:

“Njeri, sa qielli i gjërë,

e Zot i ndritshëm si diell”.

Po ç’do t’ më ndodhte,

si u ndodhi Apostujve,

po të kisha ndjekur pas

në Kopsht t’ Ullinjve?

Thua e kisha njohur në Ty

përsëri Birin e Zotit?

Tim Zot me kurorë ferrash kurorëzuar?

Zotin, në njeriun që djerset gjak

e  lyp një lutje

nësa shikon mortjen në sy?

E pastaj mbi kodër të Kalvarit,

thua do të besoja prap në Ty

me korpin gozhduar mbi kryq,

gjymtyrët dërmuar nga dhimja

e  frymën e fundit mbi buzën e irnuar?

Zot, ti e di se me gjithë shpirt,

unë ngjitem mbi Malin e Shndërrimit,

ngjitem pa frikë se shndërrohem!

Por më tmerron Golgota,

më tremb vetmia tragjike,

e Kopshtit të Ullinjve

e pikat e djersës që të kullojnë

si pika gjaku!

S’e dua braktisjen,

nuk e duroj dot dhimbjen.

Se nuk jam shkëmb, që ta thyej,

fuqinë e kryqëzuesve…

E pra në këtë shteg

ku më prin ti sot

më duhet të ec,

deri në fund të fundit.

Atje ku më presin

Pashkët e tua të pamort.








All the contents on this site are copyrighted ©.