2017-03-10 15:33:00

“Veni Creator” e Goethe


Në qendër të predikimeve të Kreshmëve, në Vatikan, sivjet është Shpirti Shenjt Hyj. Predikatari, atë Cantalamessa, pohon se do ta lexojë misterin e vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit në dritën e rizbulimit të Shpirtit Shenjt,  i vetmi që mund ta ngjallë shpirtin e shkretuar të njerëzimit. Duke nisur nga njerëzit më të thjeshtë, të lum a të mjeruar, e deri tek gjenitë, që besojnë se e kanë lënë përgjithnjë vetveten mbi dhe, edhe kur shkojnë nën të.

Prandaj atë Cantalamessa, duke kujtuar temat e sivjetme të predikimeve kreshmore, thekson “Shpirti Shenjt nuk është ide. Nuk është abstraksion. Eshtë realiteti më  aktual, që mund të mendohet. Jo më kot Shkrimi Shenjt, kur flet për Të, përdor simbolet e erës, të zjarrit, të ujit, të profumit, të pëllumbit.  E Goethe shihte në “Veni creator” (Eja, o Shpirt Krijues), që është himni i Shpirtit Shenjt “thirrjen drejtuar gjeniut, forcën, që i çon peshë zemrat e gjithë njerëzve të pajisur me shpirt të madh”. Ai vetë u ul dhe e përktheu  himnin në gjuhën gjermane dhe  dëshironte të këndohej të dielave në shtëpinë e tij. Sepse përmes këtij himni, Shpirti Krijues e prekte fuqimisht edhe shpirtin e tij gjenial, por gjithnjë njerëzor. Duke i kujtuar atë, që ka  më shumë rëndësi  edhe për ata që besojnë se e kanë përjetësuar veten mbi dhe: Amshimin!








All the contents on this site are copyrighted ©.