2017-03-09 00:00:00

Papa: të diel, 12 mars, do të vizitojë famullinë e Shën Madalenës së Canoss-ës


Të diel, 12 mars, Papa Françesku do të vizitojë famullinë romake të Shën Madalenës së Canoss-ës, në Lagjen periferike Ottavia. Për ta pritur do të dalin, ndërmjet tjerësh, kardinali mëkëmbës, Agostino Vallini; atë Giorgio Valente, epror i përgjithshëm i Kongregatës së Bijve të Bamirësisë (Kanosianët), të cilëve u është besuar udhëheqja e famullisë që nga viti 1988, vit i  krijimit dhe famullitari, Giorgio Spinello.

Gjatë vizitës, Papa Françesku do të takohet me të rinjtë, me Motrat e Bamirësisë (Kanosianet), së bashku me Nënën e tyre eprore, motrën Annamaria Babbini, pa harruar të sëmurët, që i ka aq për zemër, prindërit  me fëmijët e pagëzuar në vitin 2016 dhe veprimtarët baritorë të famullisë.  Më pas Françesku do të rrëfejë  katër pendestarë e do të kryesojë Meshën.

Papa Françesku – na kujton famullitari - do të takohet edhe me fëmijët e katekizmit si dhe me grupin “Scout të Evropës”, anëtarët e të cilit do të dialogojnë me Françeskun, duke i drejtuar pyetje për problemet që u interesojnë më shumë. Do t’i dorëzojnë edhe letrat e tyre, në të cilat shprehin gëzimin për vizitën e Papës, e sigurojnë se luten për të dhe i kërkojnë lutje për paqen në botë.

Atë Giorgio është tepër i emocionuar, aq sa ende nuk i beson vetes se vizita e Papës në famullinë që drejton, tashmë po bëhet realitet. I kujtohet vazhdimisht ajo ditë, pak para Krishtlindjes, kur kardinali Vallini e thirri për t’i dhënë “një lajm të gëzuar”. Gjithçka i shkoi nëpër mend, përveç vizitës së Papës: – Për një çast nuk munda të nxjerr asnjë fjalë nga goja – kujton – ndërsa shpirti më hovte nga një gëzim i papërshkrueshëm.

Në këtë famulli aktivizohen një mori grupesh, si ai i titulluar “Misionet”,  që çon përpara projektin “Casa Amiga” në Brazil, ku rregulltarët  kanosianë janë të pranishëm prej vitesh. Pika më e fortë e bashkësisë është, pastaj, Karitasi ndërfamullitar si dhe dyqani, hapur falë ndihmës së Bashkisë XIV, me 13 famulli, që bashkëpunojnë për ta furnizuar. Kështu mund të ndihmohen familjet nevojtare për një kohë, që zgjat nga tre muaj, deri në një vit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.