2017-03-09 16:50:00

Jeruzalem. Pizzaballa: zjarri i vënë në portën e Kishës, akt vandal


Një gjest i ri vandal në Tokën Shenjte, ku natën ndërmjet së martës e së mërkurës, u thye dhe u dogj porta  e madhe e  hyrjes në Kishën e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, mbi Malin e Ullinjve. Po cilat janë hamendjet  mbi natyrën e këtij akti tejet të dënueshëm? Pyetëm Imzot Pierbattista Pizzaballën, administrator apostolik i Patriarkatit latin të Jeruzalemit:

Përgjigje: - E dimë kush ishte. Është pasojë e grindjes ndërmjet dy familjeve, që hamendësohet se duan të kontrollojnë hyrjen në zonë. E hyrja,  gjatë vitit, është me pagesë. Pikërisht në sherr e sipër ndërmjet tyre, dikush i kalli flakën portës. Këto, lajmet që kemi marrë e që janë ende të pjesshme. Tani presim që policia të na japë të dhëna më të sakta.

Pyetje: - Pra, nuk është akt i tipit fetar?

Përgjigje: - Tërthorazi është, por qëllimi nuk ishte aq antikristian, sa synim për kontrollin e zonës. Jemi, ndoshta, në ambientet e racket-it. Pastaj gjithçka vjen e  ngatërrohet.

Pyetje: - Ju i drejtuat kohët e fundit një letër bashkësisë suaj kishtare për fillimin e Kreshmëve, në të cilën bëni bilancin e parë të veprimtarisë suaj në Patriarkat, rreth 6 muaj pasi keni arritur ta merrni në dorë situatën delikate. Ç’probleme ju dolën?

Përgjigje: - Probleme të natyrës administrative e financiare. Duhet të them se duke hyrë brenda, i pashë më qartë këto probleme, që nuk janë të vogla. Njëkohësisht u takova me të gjithë priftërinjtë e dioqezës, një për një, në shtëpinë e tyre, në famulitë, në realitetet e ndryshme, e i pamë bashkë problemet financiare. E pashë edhe vendosmërinë e të gjithëve për ta përballuar këtë situatë, si edhe dëshirën për ta marrë mbi vete përgjegjësinë, gjë e rëndësishme, kjo. E gjë që ngjall shpresat se pak nga pak... në të vërtetë duhen vite për të dalë nga kjo situatë... flitet për borxhe, shumë borxhe, për të qenë më të qartë. Por unë shpresoj  se  meqë kemi një ndjet të përbashkët, e me një strategji të saktë, do të mund të dalim nga kjo situatë, pas ndonjë viti.

Pyetje: - Këto probleme, që u krijuan, a shkaktuan mosbesim në gjirin e besimtarëve ndaj atyre që duhej të administronin mirë?

Përgjigje: - Kjo është e vështirë të thuhet, sidomos në këto realitete.  Posaçërisht kur flitet për paratë, mund të dëgjosh shumë zëra, shumë opinione. Letra shërbente pikërisht për ta mbyllur periudhën e përgojimeve, të thashethemeve, për të sqaruar e për të filluar të flasim. Besoj se letra u vlerësua nga njerëzit, sepse, më në fund, dëgjuan një fjalë të qartë. E besoj edhe se perceptova një klimë mirëbesimi, solidariteti.

Pyetje: - Domethënë se mund të mbështeteni në këtë klimë, për të rifilluar veprimtaritë baritore...

Përgjigje: - Sigurisht! Pastaj unanimitet nuk do të ketë kurrë, por problemet janë të qarta, e edhe serioze, prandaj duhet shumë angazhim. Por unë nuk jam i vetëm, do të kem pranë pjesën kryesore të dioqezës, për ta përballuar këtë situatë.     








All the contents on this site are copyrighted ©.