2017-03-08 15:01:00

Ushtrimet shpirtërore. Atë Michelini: t’i hapim sytë për ankthin e të tjerëve


Vijuan edhe dje pasdite, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia, Ushtrimet shpirtërore për Papën e Kurien Romake, në këtë kohë Kreshmësh. Françsekani, atë Giulio Michelini, mbajti, dje pasdite meditimin e katërt me temë: “Lutja në Gjetseman dhe arrestimi i Jezusit” (Mt 26,36-46).

Në reflektimin e tij, vuri ballë për ballë lutjen e Jezusit mbi malin e Ullinjve  e atë mbi Tabor, në Galile. Situatat  - kujtoi rregulltari -  i ngjasin si dy pika uji njëra-tjetrës: në të dyja Jezusi vihet në provë  Në rastin e parë, sepse Pjetri e të tjerët nuk e kanë kuptuar kumtin e Tij  të parë: se Zoti do të vdiste në Jeruzalem;  aq më pak, të dytin, sipas të cilit, dikush do ta dorëzonte në duart e vrasësve.

Ndërsa Jezusi  i drejtohet Atit, duke pranuar plotësisht që “të bëhej vullneti i Tij, vullnet i së mirës”. Ky vullnet i zanafillës nuk e do vdekjen e Birit, por shpëtimin e Tij, siç shkruan Romano Guardini tek vepra “Zoti”: “Jezusi kishte ardhur ta shpërblente popullin e Tij e, në Të, botën. Kështu do të bëhej, nëse njeriu do t’i kushtohej fesë e dashurisë, por kjo nuk ndodhi. Gjithsesi mbeti mandati i Atit, por duke ndryshuar formë. Nga refuzimi i njeriut, buroi fati i hidhur i vdekjes së Zotit, për shëlbimin e premtuar të njerëzimit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.