2017-03-08 13:27:00

Prifti e poeti shqiptar dom Ndue Bytyçin, në përvjetorin e lindjes


Kujtojmë dom Ndue Bytyçin, në përvjetorin e lindjes. Prifti e poeti shqiptar, dom Ndue Bytyçi, lindi më 8 mars 1847, në rrethinën e Shkupit, sipas disa studiuesve; në Kosovë sipas disa të tjerëve. Shumica e studiuesve të veprës së tij janë thuajse një mendje mbi vlerat e veprës së meshtarit poet dhe e konsiderojnë si poet me talent të rrallë.

Ndue Bytyçi është një ndër meshtarët e parë katolikë që i kreu të gjitha studimet në trevat shqiptare: klasike, filozofike e teologjike, në Shqipëri e pikërisht në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Aty u edukua me ndjenja të fuqishme fetare, me dashuri të pakufishme për atdheun e për gjuhën shqipe; me etje për dituri, me prirje për të fituar një horizont sa më të gjerë diturie, me dëshirë për ta flijuar jetën e vet në shërbim të popullit të varfër, në emër të Krishtit. 

Prandaj, në Prizren, në Gjakovë e Pejë e vise tjera të Kosovës, ku shërbeu, predikoi pa u lodhur kurrë Ungjillin e jetës, dha mësim në shumë shkolla të dioqezës së Shkupit, shkroi vjersha fetare, atdhetare e shoqërore, iu vu përkthimit të njërit ndër librat më të vështirë të Biblës: “Librit të Psalmeve”, përkthim me vlera letrare e gjuhësore që, për fat të keq, nuk e pa ende dritën e shtypit.

Ndër vjershat e tij fetare, kujtojmë krijime artistike shumë të realizuara që lexohen me kënaqësi edhe sot, si “Mundimet e Jezu Krishtit”, “Vaji i Zojës së Bekueme”, “Atyna”, “Udha e Krygjës” etj. Ndër krijimet atdhetare vlejnë të përmenden “Memleqetit” (Atdheut), botuar në Shkodër më 1887 dhe vargjet kushtuar Atë Leonardo de Martinos, që në këtë kohë ishte një nga zërat më të njohura poetike: pastaj vjershat “Lugati”e “Kastigimi”, që të kujtojnë bukurinë e poezive të Goethes; “Peshkaxhija” e “Barakxhija”, me motive të theksuara shoqërore e krijime të tjera. Dom Ndue Bytyçi njihet si lëvrues i parë i sonetit apo tingëllimës në letrat shqipe. Botoi kryesisht ndër revistat e jezuitëve “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” e “Leka”.

Atyna

O Baba i ynë i dashtun

Qi n’qillë ke ngrëhë karrig

Shejtnue kjoft e n’frig

Emni i madhnushmi i yt.

Arrdht regjinia e jote

Vullnesa e jote u baft

Si n’qillë ku ke taft

Kshtu n’token te pa fryt.

T’perditshmen bukën tonë

Epnae ti ne n’ket ditë

Por shpirt para ngitë

Le t’jet prej hirit tan.

Fajet ti neve e mkatet

Falnai, o Zot i ynë

Si na fajtorvet t’ynë

Hallall ju bajmë gjithshka.

Me na tunue maleti

Mos len e me na mujt,

Ti mkatit me na rujt

Larg e ma larg gjithmgnë. Ashtu Kjoft.

(nga dorëshkrimi i tij, botue në revistën e Kishës së Kosovës “Drita” Viti V 1974 Nr. 12)

Kanga e Xojës së Bekueme 
Magnificat

Shpirti i êm madhnon Zotin!
Me gjith fuqijen qi ka shpirti i êm,
Po e levdoj Zotin, të madhin Zotin t’êm.
Me fuqí të madhe shpirti i êm â gzue,
Më Zotin të pushtueshem, qi me ka shelbue.
Sherbtore Zoti persè më pá të pervûme,
Kan të gjith shekujt mue me më thanë: E lume!
Njimend mbi mue të mdhaja punë ka bâ,
Zoti i pushtueshem qi êmnin Shêjt e ka.
E tí mishrira brêz mbas brêzit kqyrë,
Ata, qi i luten, e i bekon në gjith mndyrë.
Pûnoj pûnë të mdhaja krahi i djathtë i veti,
Madhshtorët i hupi, mende mdhajt i treti.
Te mdhajt prej së neltit rrotullim i sdrypi,
Prej së poshtit të vogjlit me dorë të vet i hypi.
Me të mira i mbushi të gjith nierzt e ngratë,
I la të pasnit shprazët, e me duer thát.
Zoti Izraelin në sherbim të vet tu’ e pá,
Në pelqim e pati, në mend mishira i rá.
Si u pat premtumun aj te parvet tonë,
Abramit të zgiedhun e fmís tij gjithmonë.
Atit, e Birit, Shpirtit Shêjt nji nderë,
E tash e së parit në mot qi të vînë perherë. 
Dom Ndue Bytyci (Marrë nga revista LEKA)

Mundimet e Jezù Krishtit e vaji i Zojës së Bekueme
O ju priften, pse po rrini,
Shka po bani, ju meshtarë !
Të piskatni n’ t’ idhta ankime,
Se i drejti shkon i lidhun
Me lan jeten nder mundime.

Lenie kangen, ta ketë loti
Ma shlirë udhen, zhgrehniu n’vaj,
Pse per ne po shkon vetë Zoti
Per therore, pa farë faj.
Asht arsyeja mkati ynë,
Veç dashtnije, aj tjeter s’ka,
Qi me dekun n’Krygjë po e shtyn,
Te lirë neve me na ba...
Dom Ndue Bytyqi
 

PROF. AS. DR. ANTON PAPLEKA: In memoriam: Ndue Bytyçi, 1847-1917

Në Shqipërinë e 1913-s, emri i poetit dhe i klerikut kosovar Ndue Bytyçi ka mbetur larg vëmendjes së studiuesve, të cilët nuk i kanë dhënë vendin që i takonte në kuadër të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare, nuk kanë vënë në dukje vlerat origjinale të poezisë së tij në krahasim me autorët bashkëkohës.

Në qoftë se studiuesit e Tiranës vetëm sa e kanë përmendur shkarazi emrin e Ndue Bytyçit, Rexhep Qosja, në veprën e tij madhore “Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi III”, këtij poeti i ka kushtuar një kapitull të tërë që titullohet “Romantiku i veçuar”.

Në pamundësi për ta shqyrtuar tërë krijimtarinë e Ndue Bytyçit, unë do të ndalem te balada “Lugati”, e cila është arritja më e mirë e këtij poeti, teksti i tij më përfaqësues. Për të mos përsëritur analizën mjeshtërore që i ka bërë këtij teksti R. Qosja, do të përpiqem të ndjek një pistë tjetër hulumtimi, duke u përqendruar te marrëdhëniet midis këtij teksti dhe disa teksteve të tjera të traditës gojore apo të shkruar.

I. Pikëtakime me traditën gojore: 1. Figura e lugatit. Sipas besimeve të lashta të popullit tonë, lugati ka kuptimin e fantazmës. Ai është hija e një njeriu të vdekur që për arsye të ndryshme ngrihet nga varri dhe kthehet në botën e të gjallëve. At Gjon Karma e përcakton kështu këtë figurë: “Lugat çohet nji nier i keq, pse nuk e len dheu në dhé (mbrendë), që sa ka qenë gjallë, s’ka lanë gja pa ba.” Sipas etnografit Dom Ndoc Suma, lugati nuk ka vetëm kuptimin e fantazmës, por edhe atë të një përbindëshi me përmasa kozmike…

Figurës së lugatit, etnologu Mark Krasniqi i ka kushtuar studimin “Lugati në mitologjinë tonë”, në të cilin, midis të tjerash thotë: “Kështu nga një aspekt shpjegohet fenomeni i lugatit me dëshirën e njeriut që edhe pas vdekjes, pas zhdukjes së tij fizike, të gjejë mundësi për t’u kthyer në jetë, edhe qoftë si qenie negative.”

Në thelb, figura e lugatit lidhet me idenë se i vdekuri mund të ngjallej në trajtë hijeje apo në trajtë të mishëruar. Ky besim i kohës së paganizmit ka mbijetuar në shumë krijime folklorike: në përralla, në legjenda, në balada dhe në epikën legjendare. Një krijim i tillë është “Balada e vëllait të vdekur” apo “Kalërimi nator.” Në folklorin shqiptar, një variant kristian i kësaj balade njihet me titullin “Kostandini e Garentina”, ndërsa një variant i islamizuar njihet me titullin “Halil Garria.”

Në epikën tonë legjendare ka disa rapsodi ku flitet për ringjalljen e kreshnikut të vdekur si “Muji i varruem”, “Muji mbas deket” etj. Në rapsodinë “Martesa e Halilit”, për të fshehur llahtarinë që i ka shkaktuar dora e Halilit, e cila e ka prekur në gjumë, Tanusha zë ngoje lugatin: “Ç’kje kjo britmë, Tanushës po i thonë,/ që kso vigme kurr s’ke ba?/ Sa butë vasha u ka përgjigjun çikave!/- Shkoni e bini, mori shoqe,/ se lugat diçka m’u shti/ e prej tremet gjumi m’duel!”

Edhe në tekste relativisht të vona, i vdekuri ngrihet nga varri për t’u kthyer në botën e të gjallëve, për të kryer veprime që mund t’i kryejë vetëm një i gjallë, siç ndodh në baladën “Krisi pushka bregut të Drinit.”

Etnologu M. Krasniqi thekson se besimi që njeriu mund të kthehej edhe përkohësisht nga bota e të vdekurve është shumë i lashtë, është parakristian, sepse krishterimi e mohon ringjalljen e të vdekurve në çfarëdo trajte qoftë pas ringjalljes së Krishtit: “Religjioni i krishterë mohon mundësinë e ngjalljes së njeriut të vdekur, përkatësisht ekzistimin e lugatit.”

Lashtësia e këtij besimi pagan vërtetohet nga dëshmitë që sjellin kulturat e popujve, të cilët kanë një traditë të hershme shkrimi: “Të vdekurit konsiderohen si armiq të mundshëm, prandaj qysh para pesë mijë vjetësh misirlinjtë (egjiptasit) ua këputnin kokën, kurse në Lituani kjo praktikohej edhe në shekullin XX, ku ua këputnin kokën vetëvrasësve, sepse ata mund të ngjalleshin dhe të rrezikonin të gjallët. Edhe grekët e lashtë ua këputnin kokën e gjymtyrët armiqve të vrarë, për t’u siguruar nga hakmarrja e tyre pas vdekjes.” (M. Krasniqi).

Duke vënë në qendër të baladës së tij figurën e lugatit, duket sikur Ndue Bytyçi i ka rënë ndesh ideologjisë së krishterë. Mendoj se konceptimi poetik për figurën e lugatit nuk ka të bëjë fare me qëndrimin e autorit të baladës ndaj dogmës fetare. Këtë figurë, ai e ka përdorur si një mjet artistik, nën ndikimin e elementeve folklorike të depozituara në nënvetëdijën e tij qysh në fëmijëri dhe/ose nën ndikimin e poezisë romantike evropiane që mund të ketë lexuar…

2. Konflikti midis bujkut dhe çifligarit

Lënda apo problematika e marrë nga tradita gojore, të cilat janë të pranishme më baladën “Lugati” të Ndue Bytyçit, nuk kufizohen vetëm me përdorimin e figurës së lugatit. Ato përfshijnë edhe konfliktin e ashpër, nganjëherë të përgjakshëm, për të cilin flasin me dhjetëra këngë popullore. Këngë të tilla u bëjnë jehonë revoltës individuale apo kolektive të gjysmatarëve që shfrytëzoheshin dhe keqtrajtoheshin nga kasta feudale, e cila ishte një nga mbështetjet kryesore të sundimit osman në Shqipëri.

Nga këngët e shumta që janë mbledhur në të gjitha viset shqiptare, po përmendim vetëm disa shembuj tipikë. Shkodër: “Çaushollt po i qajnë me lot/ Zogjtë e korbat e havasë:/ U hapi oxhaku sot,/i vrau ahti i fukarasë.” Kopiliq i Ulët-Drenicë: “Tungjatjeta, i lumi zotni,/me pare t’hueja n’kafe s’hi./ Ta kam pru motrën Hajri;/ Kqyrja mirë dy sytë e zi!/ Nxerrka, i raka gjashtë herë allti.” Ndroq-Tiranë: “Dalip bej, bej Shijaku,/ Dil aty ku derdhet gjaku!/ Dil aty, bej, mu në fushë,/T’i puthim hutat gushë më gushë!” Kutalli-Berat: “Do vemi në Tepelenë,/ Do rrethojmë Ali benë,/ Ali benë e Kadri benë,/ Do t’u varim teneqenë,/Do t’i lidhim me litarë,/Do t’i heqim si gomarë…” Kuç-Vlorë: “Pa dëgjo, o beu inë,/ Mbaje mirë terezinë,/ Se njerëzia u pignë,/ Ikn’ e muar arratinë,/ Ca në Vlor’ e ca Delvinë.”

Është e kuptueshme se Ndue Bytyçi nuk ka pasur mundësi t’i dëgjonte të gjitha tekstet që citova më sipër apo tekste të tjera të ngjashme me to, por është e pamundur që atij të mos i ketë rënë në vesh ndonjë këngë e tillë që këndohej në viset e Kosovës e të Shkodrës ku shërbeu si prift. Për këtë arsye këngët popullore që bëjnë fjalë për konfliktin midis bujqve e çifligarëve, sidomos këngët e trevave veriore, mund t’i konsiderojmë si hipotekst të baladës “Lugati”.

II. Paralelizmi me traditën e shkruar evropiane

Nga tradita gojore, figura e fantazmës ka hyrë edhe në letërsitë e shkruara të Evropës. Dihet se ç’rol luan fantazma e mbretit të vrarë në tragjedinë “Hamleti” të W. Shakespeare-it.

Mund të përmendeshin edhe shumë vepra të tjera, por mendoj se krijimi poetik, me të cilin ka më shumë ngjashmëri tipologjike balada e N. Bytyçit, është balada “Mbreti i pyllit” e J. W. Goethe-s. Po të vërtetohej se autori ynë ka ditur gjermanisht, se ka pasur gjasa ta lexonte baladën e poetit gjerman, të përkthyer në ndonjë gjuhë tjetër, atëherë do të mund të flitej edhe për ngjashmëri gjenetike.

Paralelizmat midis baladës “Mbreti i pyllit” dhe asaj “Lugati” vihen re jo vetëm në frymën, por dhe në procedimin e tyre. Në baladën gjermane, bëhet fjalë për një baba që kalëron natën bashkë me djalin e tij, të cilin e shtrëngon në kraharor. Fëmija llahtariset nga një fantazmë që i fanitet, nga mbreti i pyllit, i cili e kërcënon fëmijën se do ta marrë me vete me hir ose me pahir. Babai mundohet të qetësojë djalin e tij dhe vazhdon kalërimin nëpër natën e errët. Kur mbërrin në shtëpi, ai vë re se fëmija që mban në krahë, ka vdekur.

Në baladën “Lugati” flitet për një bej që, pasi ka perënduar dielli, kalëron në një pyll të errët. Ai vë re se e ndjek pas fantazma e një bujku të masakruar, të përgjakur. I tmerruar, beu ia ngul shporet kalit, duke i bërtitur që të rendë sa më shpejt, të fluturojë si era, për ta shpëtuar nga hakmarrja e fantazmës që nuk i ndahet. Në pyllin e errët zhvillohet dyluftimi që merr fund me shpagimin e bujkut të masakruar. Më vonë, në pyll gjenden kamxhiku, shala dhe yzengjitë e beut të zhdukur.

Ngjashmëritë kryesore midis baladës “Mbreti i pyllit” dhe asaj “Lugati” janë këto:

1. Ngjarja ndodh në një natë të errët.

2. Fantazma dialogon me njeriun e gjallë.

3. Fantazma e kërcënon me vdekje njeriun që ndjek pas.

4. Më në fund, fantazma e vë në jetë kërcënimin e saj.

5. Të dy tekstet e përqasura janë shkruar me strofa katërvargëshe.

Krahas ngjashmërive, midis baladës gjermane dhe asaj shqiptare ka edhe dallime që lidhen me brendinë e tyre:

1. Në baladën gjermane nuk përmendet motivi i gjakmarrjes (vendetta), kurse në baladën shqiptare ky motiv luan rol përcaktues.

2. Në baladën gjermane nuk përmendet apo nuk lihet të nënkuptohet kurrfarë konflikti, për shkak të të cilit ndodh vrasja, kurse në baladën shqiptare strumbullari i të gjitha veprimeve është urrejtja e thellë midis bujkut e beut.

Nga analogjitë dhe dallimet që u vunë në dukje më lart, del se, ashtu si romantikët e tjerë shqiptarë, N. Bytyçi është përpjekur të përfitojë nga përvojat letrare të Evropës, duke ruajtur origjinalitetin e tij. Me romantizmin gjerman, balada “Lugati” ka të përbashkët mbështetjen te tradita gojore, përdorimin e figurave të mbinatyrshme, frymën mistike, kurse me romantizmin francez ka të përbashkët problematikën e mprehtë kombëtare dhe shoqërore. Në një përfundim të tillë na shpie përcaktimi i mëposhtëm i Eqrem Çabejt: “Largimi në viset e përrallës e të këngës popullore, të cilat nuk vërehen te romantikët e Francës, janë aq karakteristike për romantikët gjermanë sa është karakteristike për romantikët frëngj lufta për idetë sociale e nacionale.”

III. Paralelizmi me traditën e shkruar shqiptare

Në kuadër të letërsisë sonë, balada “Lugati”, ka afri më të madhe me poemën e “Istori e Skënderbeut” e Naim Frashërit, sepse në të dy këto krijime poetike, fantazma ka konotacion pozitiv, ndryshe nga ç’ndodh në besimet popullore. Në poemën e Naimit, fantazma e Gjon Kastriotit shkon në viset e largëta të Perandorisë Osmane për t’i kujtuar të birit, Gjergj Kastriotit, detyrimet që ka ndaj atdheut të tij, Shqipërisë, ndaj popullit që vuan nën zgjedhën e huaj: “U ngrit fati i Shqipërisë,/ Si i vdekuri nga varri,/ Mori udhën e Azisë,/ Duke ikur si i marri…”

Me konotacion pozitiv paraqitet edhe fantazma e Skënderbeut në poemën “Liria” të Ndre Mjedës: “E këqyrë ndër male po përhapet shkëndija / E lirimit t’Atdheut; mshehtas shetiti/ kësollë për kësollë rreth buneve e soditi,/ Frymë të re tuj shprazun përgjithkahna hija/ E Skanderbegut.”

Ndryshe nga krijimet e lartpërmendura, në poemën e tij “Lahuta e Malsisë”, Gjergj Fishta i qëndron besnik konceptimit popullor, tradicional, sepse për të lugati është një personazh i neveritshëm e ndjellakeq.

Në këngën e njëmbëdhjetë që ka titullin “Lugati”, Knjaz Nikollës i shfaqet natën fantazma e Mehmet Ali Pashë Maxharit, të cilit ia kishin prerë kokën kryengritësit shqiptarë më 1878: “Kur, qe, aty, t’u ba mjesnatë,/ Po i del gjumi Knjaz Nikollës,/ Edhe sheh ai n’mjedis t’odës/ Nji njeri ndejë në kambë,/ Me nji mjekër gjatë nji pllambë,/ Edhe barkun sa ‘i fund sheke,/ Pshtjellun shtatit n’pëlhurë deke…”

Nga përqasjet e mësipërme, del se N. Bytyçi ka afri me ata autorë ku vihet re një përdorim më i lirshëm, më universal dhe më modern i figurës së fantazmës. Ai nuk qëndron rob i traditës, por përpiqet ta modifikojë këtë figurë në përputhje me kërkesat estetike të kohës së tij. Konceptimin e N. Bytyçit për fantazmën e hasim më vonë edhe në një kryevepër të Mitrush Kutelit, siç është novela “Vjeshta e Xheladin beut”. Kjo duket qartë po të krahasojmë epilogun e baladës “Lugati”, me epilogun e kësaj novele: “Hëna hyri në re, zotëroi errësira. Xheladin beu i nguli mamuzet pelës, ngriti kamxhikun, goditi. Pela u bë furtunë. Në të ikur e sipër, beut i ra kamxhiku, nga dora. Papritur, ia preu udhën një hije. Xheladin beu nxori koburen nga brezi dhe e zbrazi. Po vritet hija? Ajo i preu udhën përsëri. Pela ishte mbytur në djersë. Ment pëlciste.

… Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashës, njeriu i gjakut, i ahengut dhe i frëngjyzës, kish humbur mendjen. Dhe ikte nëpër fushë, natën, udhë pa udhë, kurse dheu, pemët, hijet dhe çdo gjë e gjallë dhe e vdekur i këndonin pa pushim. […] E gjetën të nesërmen në një hendek.”

IV. Simbolika e baladës

Balada “Lugati” karakterizohet nga një ngarkesë e madhe kuptimore, e cila, veç të tjerash lidhet me përdorimin e dendur të simbolit, për të cilin studiuesi Tzvetan Todorov është shprehur kështu: “Pa e tepruar, mund të thuhet se, në qoftë se estetikën romantike do të duhej ta përmblidhnim në një fjalë të vetme, kjo do të ishte pikërisht ajo që përfshin në të A. W. Schlegeli: simboli…” Siç do të shihet gjatë shtjellimit të mëtejshëm, në baladën “Lugati” mbizotërojnë simbolet-objekte, por nuk mungojnë edhe simbolet-ide.

Nata

Ky simbol ka karakter universal, sepse haset në shumë vepra të letërsisë botërore si “ferri” i Dantes, “Hamleti” i Shakespeare-it etj. Nata ka lidhje shumë të ngushtë me errësirën për të cilën G. Durand shkruan: “Sipas Mohrit, vlerësimi negativ i errësirës ka këto kuptime: mëkat, ankth, revoltë e gjykim.” Veç këtyre domethënieve, në baladën “Lugati”, nata nënkupton edhe kohën e sundimit osman në Shqipëri, prapambetjen kulturore dhe regresin shoqëror, gjendjen e rëndë të fshatarësisë së nëpërkëmbur.

Pylli i errët

Ky shënjues që ka ngjashmëri me simbolin e mëparshëm, u referohet të shënjuarave të përafërta. Për këtë arsye, shpeshherë këto simbole janë të bashkëpranishme, siç ndodh, bie fjala, në këngën e parë të “Ferrit”. Në kontekstin e baladës “Lugati”, pylli i errët simbolizon një situatë të kobshme, një kontradiktë të ndërlikuar midis antagonistëve, befasi, mister dhe mynxyrë.

Vraçi (kali i zi)

Meqenëse kali është izomorf me errësirën e ferrit, edhe kuptimisht ai ka lidhje me dy simbolet e lartpërmendura. Simbolika e vraçit që shënjon kobin dhe vdekjen, ka rrënjë të thella mitologjike që shkojnë deri te besimet e qëmotshme, për Hadesin dhe për qeniet që i përkisnin botës së nëndheshme.

 Durandi thotë se ky simbol është ruajtur në kultura të ndryshme: “Tek Apokalipsi, Vdekja shkon kaluar mbi një kalë të zbehtë; Ahrimani, ashtu si djajtë irlandezë, i rrëmben viktimat e tij mbi kuaj; te grekët modernë, ashtu si tek Eskili, vdekja hipën në një kalë të zi. Folklori dhe traditat popullore gjermanike dhe anglosaksone e kanë ruajtur këtë domethënie të kobshme dhe makabre të kalit: të shohësh në ëndërr një kalë është shenjë e një vdekjeje të afërt”. Një domethënie të tillë, vraçi ka edhe në besimet popullore shqiptare, sipas të cilave ishte e ndaluar që nusja të hipte në kalë të zi.

Si shënjues i katastrofës, vraçi dhe kalërimi nëpër natë hasen në veprat e Hugoit, të Buronit apo të Goethes. Me po këtë funksion, ai shfaqet edhe në baladën e N. Bytyçit, duke u shndërruar në një element të rëndësishëm të strukturës apo të dramaticitetit të saj, siç është edhe topiku i bisedës së kalorësit me kalin.

Kambana

Sipas Moriersë, kambana simbolizon lutjen, fenë, kushtrimin. Nga pikëpamja fetare, ajo përfaqëson krishterimin, i cili besimtarët shqiptarë të kësaj feje i diferenconte nga pushtuesit osmanë dhe nga kasta vendase e shkombëtarizuar. Duke iu kundërvënë ideologjisë sunduese, zyrtare, krishterimi mbante gjallë frymën e kundërshtimit dhe ushqente shpresën për rilindjen kombëtare.

Studiuesit janë të mendimit se në Shqipëri, krahas krishterimit, këtë rol e ka luajtur edhe bektashizmi: “At Leonardo de Martini, Pashko Vasa dhe Naim e Sami Frashëri me veprat e tyre kjenë apostujt kryesorë të zgjimit kombëtar, ndërkohë që kuvendet e françeskanëve e teqet e bektashinjve kjenë çerdhet kryesore të nacionalizmit.”

Simboli i kambanës ka edhe konotacion politik, sepse tingujt e kambanës paralajmërojnë fillimin e kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane: “Ah, t’laikut tuj nillun mekame,/ aj za t’dekmit prej vorresh i çon.” Mund të shtojmë se në këtë kontekst, tingujt e kambanës simbolizojnë edhe idetë përparimtare që vinin nga Evropa Perëndimore dhe i nxitnin popujt e Ballkanit të luftonin për të shpëtuar nga despotizmi oriental.

Në rrafshin filozofik, rënia e kambanës simbolizon besimin se po afrohej ora kur do të vihej në vend drejtësia, kur pafajësia do të ngadhënjente mbi krimin. Mllefi i grumbulluar nga shekuj padrejtësie e dhune, do të zgjonte nga gjumi jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit.

Tagani

Nga kuptimet e shumta që ka ky simbol, mendoj se në këtë baladë ai shënjon burrërinë dhe drejtësinë, sepse me anë të taganit (shpatës) gjysmatari i ngritur nga varri e ndëshkon beun keqbërës, shkaktarin e tragjedisë së tij.

Shala, freri, kamxhiku dhe yzengjitë

Në baladën “Lugati”, këto objekte simbolizojnë rendin feudalo-ushtarak osman si dhe kastën vendase, e cila ishte bërë palë me pushtuesin e huaj për të shtypur e për të shfrytëzuar fshatarësinë, sidomos rajanë e krishterë. Është kuptimplotë fakti se edhe pas ndëshkimit të beut, këto objekte nuk zhduken, por mbeten të pranishme: “Kshtu nji beg, n’dhet’ katunde zotni,/ nji ditë hupte me t’fshtirun shklet,/ e kamxhikun me shal’ e zenji/ nji katundar mrend pyllit i gjet.”

Gjaku

Simboli i gjakut ka karakter të theksuar polisemik. Në baladën “Lugati”, kryesisht ai ka ngarkesë kuptimore negative, meqenëse shënjon krimin e beut, masakrimin e bujkut: “A e ke pamun gjith’ shtatin përgjakun,/ sikur ditën që e pashna tuj dekë?”

Nga ana tjetër, ka konotacion pozitiv kur simbolizon fisnikërinë, trashëgiminë, dashurinë për jetën dhe për drejtësinë, ndëshkimin e xhelatit dhe shpagimin e viktimës: “Me gjak gjaku do t’lahet, i thote,/ gjaku s’kalbet jo kurr e nuk des!” R. Qosja shkruan se, përmes përsëritjes, fjala gjak bëhet fjalë semantemë.

Dyluftimi

Dyluftimi midis gjysmatarit të ngritur nga varri dhe beut vrasës, ngadhënjimi i viktimës mbi xhelatin është një rast tipik i simbolit-ide. Me këtë figurë stilistike, N. Bytyçi ka parashikuar fatin e kastës së bejlerëve turkoshakë. Gjyqi moral që i bëhet beut dhe rrëzimi i tij nga kali që e heq zvarrë, simbolizojnë shembjen e pashmangshme të Perandorisë Osmane, të rendit despotik të vendosur në vendet e pushtuara prej saj: “Vraçi ahere n’mamuza pa e therun,/ thue se tokën me bark â tuj prekun. / Për jel kapun begzeza me t’fshtjerun,/ ka lanë frenin, zenjijash â hjekun.”

Duke pasur parasysh poezinë franceze, Jean Orizet ka shkruar: ”Çdo periudhë ka novatorët e saj, vazhduesit dhe epigonët e saj, të pazhbëshmit, rebelët e saj, të izoluarit e saj, “të mallkuarit”, e saj; shkurt, ata që kemi vendosur t’i quajmë “eksploruesit vetmitarë”. Në kuadër të letërsisë sonë, një eksplorues vetmitar mund të quhet edhe Ndue Bytyçi, autori i baladës “Lugati”, e cila i referohet temës biblike të vëllavrasjes. Këtë temë që zë fill me vrasjen e Abelit nga Kaini, e ka trajtuar me origjinalitet Pjetër Budi qysh në shekullin XVII. Edhe në baladën “Lugati”, vrasësin e tij, bujku i përgjakur e quan vëllai im: “E lugati n’t’qestisun u gzote:/-Vëllau i jemi, me m’ikun ke shpresë?”

Për ngjizjen e baladës së N. Bytyçit, mendoj se kanë ndikuar disa faktorë si: gjendja e rëndë e fshatarësisë shqiptare, sidomos e rajasë së krishterë në kohën e sundimit osman; jehona e këngëve popullore që flisnin për konfliktet midis bejlerëve e bujqve; ndikimi i poezisë romantike evropiane. Atmosfera romantike ndihet qysh në titullin e baladës “Lugati” dhe përforcohet nga elemente të tjera, të cilat janë karakteristike për letërsinë romantike si: tema e jashtëzakonshme, personazhet e jashtëzakonshme, situatat e jashtëzakonshme; zhdukja e kufirit midis botës tokësore dhe botës së përtejme; përdorimi i teknikës oniriste etj.

N. Bytyçi ka një vizion optimist për zhvillimin e historisë. Ai beson se pas errësirës së gjatë të robërisë; do të gdhijë një ditë e re kur nuk do të ketë shtypje dhe padrejtësi. Mesazhi moral e filozofik i baladës së tij të kujton mesazhin që përcjellin disa tragjedi shekspiriane: “Kush ka bërë krime dhe ka derdhur gjak, do t’i shpaguajë krimet me gjakun e tij.” Kjo filozofi mishërohet edhe në urtësinë popullore që thotë se Zoti vonon, por nuk harron…

Meqenëse balada “Lugati” është një krijim me vlera të shumëfishta, por mbi të gjitha, me vlera estetike, do të ishte e udhës që ajo të zinte vend në tekstet tona shkollore, duke hequr prej tyre ndonjë krijim deklarativ që nuk ia ndez fantazinë nxënësit, që nuk jep dorë për komente interesante… Vlerësimi dhe njohja sa më e gjerë e baladës “Lugati” do të ishte nderimi më i mirë për autorin e saj, për këtë “të harruar” të letërsisë sonë, të cilin R. Qosja e ka përcaktuar kështu: “Ndue Bytyçi mund të shikohet si një poet që e pasuron përvojën krijuese të romantizmit shqiptar në përgjithësi”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.