2017-03-07 13:19:00

Ushtrimet shpirtërore: të rigjejmë bashkimin rreth Darkës së Mbrame


Vijojnë Ushtrimet Shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake në Ariccia, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor. Predikatari françeskan, atë Giulio Michelini, mbajti sot paradite meditimin e tretë mbi temën “Buka e korpi, vera e gjaku”, duke komentuar pjesën ungjillore të Darkës së Mbrame (Mt 26,20-35).

         Meditimi nisi nga një element, që karakterizon përmasën njerëzore të “ngrënies së bashku”. Vërtet, vërejti predikatari, Darka e Mbrame e Krishtit fillon me frazën: “U ul në tryezë së bashku me të dymbëdhjetët”. Të ulesh në të njëjtën tryezë do të thotë të provosh bukurinë e ndenjjes së bashku, duke ngrënë atë që të tjerë e kanë përgatitur me dashuri. Vetë i Ringjalluri, sipas shën Gjonit ungjilltar, pati përgatitur ushqim për dishepujt e vet në Liqenin e Galilesë (Gjn 21,9). Por ushqimi ka të bëjë edhe me mëkatin e njeriut, me egoizmin dhe brishtësinë e tij.

         Natyrisht, nënvizoi atë Michelini, nuk mund të mos kujtojmë simbolikën biblike të mosbindjes për shkak të ushqimit (Zan 3,1) e të mëkatit të parë mortar, vrasjen e vëllait për shkak të xhelozisë së Kainit, kur pa se si Zoti pëlqeu flinë e Abelit, prej “të parëlindurve të grigjës së vet bashkë me dhjamin e tyre” (Zan 4,4). Nuk mund të harrojmë, vijoi predikatari, se përçarja ndërmjet dy vëllezërve, Jakobit dhe Ezaut, ndodh për shkak të urisë së këtij të dytit (Zan 25,34). Historia njerëzore vijon kështu deri në ditët tona, kur mund të lexojmë në enciklikën “Laudato si’” trajtimin egoist të ushqimit, që e ndan botën në të varfër e të pasur.

         Të hash, vërejti predikatari, do të thotë të pranosh brishtësinë antropologjike të njeriut, siç thotë një jezuit, kur komenton “Regullat për t’u orientuar në të ngrënë” të shën Injacit të Lojolës. Vërtet, atë Jean-Paul Hernandez shkruan: “Injaci e kuptoi vendin qendror, që zë ngrënia në përvojën njerëzore. Mund të thuhet: më thuaj si ha, të të them kush je. Të hash do të thotë së pari, ta marrësh si dhuratë jetën nga jashtë, pra, ta kuptosh se nuk je i pavarur. Me fjalë të tjera: i duhet njohur një kufi vetvetes. Të hash së bashku me të tjerët do të thotë ta pranosh para të gjithëve këtë gjendje”.

         Në Darkën e Mbrame, vijoi atë Michelini, kemi edhe një element tjetër: dorëzimin e Jezusit nga ana e Judës. Por Jezusi, pikërisht në natën kur po tradhtohej, nuk u tërhoq, por jep si dhuratë gjithçka i mbetet për të dhënë: korpin e gjakun e Tij. Në këtë pjesë, shën Mateu ungjilltar vë në dukje një element, që e gjejmë vetëm këtu, atë të gjakut që do të derdhet në kryq për faljen e mëkateve. Më në fund, kush lexon këtë Ungjill, mund ta kuptojë domethënien e emrit “Jezus” e mund të mësojë “mënyrën” me të cilën do të realizohet falja e mëkateve, ajo mënyrë me të cilën vetë Biri i Zotit e, së bashku me Të, edhe Ati e Shpirti Shenjt, do të impenjohen për “të dhënë jetën”. Sepse, siç thotë Psalmi 49, “Njeriu s’është i zoti ta shpërblejë vetveten, askush s’mund t’ia paguajë Hyjit shpërblimin”(Ps 49,8), për gabimet dhe mëkatet e veta. Vetëm Zoti mund ta shpëtojë njeriun nga vetvetja dhe nga e keqja.

         Prandaj sa herë që hamë bukën e pimë verën e shuguruar në Eukaristi, pra, sa herë përsërisim Darkën e Mbrame, të mbledhur së bashku rreth Krishtit, ne marrim pjesë në planin e Hyjit për shpëtimin e secilit prej nesh, pikërisht duke bërë diçka shumë njerëzore, duke ngrënë.

         Së fundi, atë Michelini la tri pyetje për reflektim. E para, ka të bëjë me marrëdhëniet tona me ushqimin. Ai propozoi rregullën e shtatë të shën Injacit të Lojolës: “Duhet të mos e lejojmë shpirtin të ketë kujdes vetëm për atë që hahet e të hamë me grykësi, të nxitur nga uria; përkundrazi, duhet ta përmbajmë vetveten, si në mënyrën e të ngrënit, ashtu edhe në sasi”.

         Së dyti, atë Michelini pyet si është e mundur që të krishterët, të cilët duhet të mblidhen së bashku rreth tryezës, me përçarjet e tyre bien në të njëjtat gabime si bashkësitë e para të krishtera. Sigurisht, janë të shumta hapat drejt bashkimit të gjithë të krishterëve, por akoma mbetet shumë për të bërë.

         E, së fundi, një pyetje për faljen e mëkateve. A jemi vërtet të vetëdijshëm se Krishti, duke derdhur gjakun, vërtet, përmes jetës së vet e jo vetëm me fjalë, predikoi e dha faljen e Zotit?

         Pyetje edhe për të gjithë ata, që ndjekin ushtrimet shpirtërore të Papës e të Kuries Romake përmes valëve të radios. Ndërkaq, meditimi i dytë i sotëm, i çoi të pranishmit në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia në “Lutjen e Gjetsemanit dhe në arrestimin e Jezusit (Mt 26,36-46)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.