2017-03-07 14:54:00

Euro 2017 nga Shteti i Vatikanit, pa figurën e Papës


U emetuan nga Qytet-Shteti i Vatikanit rreth 2 milion e gjysëm monedhash në Euro për vitin 2017. Mbi eurot e Vatikanit, me vendim të Papës Françesku, nuk do të stampohet figura e Atit të Shenjtë, por vetëm stema papnore. Kështu pati bërë edhe Papa Pali VI gjatë viteve të fundit të papnisë së tij. Pyetëm drejtorin e Zyrës Filatelike dhe Numizmatike të Qytet-Shtetit të Vatikanit, Mauro Olivieri:

         Vatikani ka monedhën e vet në euro, me figurën e vet kombëtare. Çdo vit emetohen monedha, që qarkullojnë në vendet e Bashkimit Evropian e që, pjesërisht, paketohen dhe u shiten koleksionistëve. Ati i Shenjtë kërkoi të mos duket më në monedha e në medalje në përgjithësi – pra, edhe në ato të emetuara nga Shteti i tij – e ne bëmë ç’është e mundur për ta kënaqur. Ia arritëm, me disa vështirësi me autoritetet e Bashkimit Evropian, që më pas u kapërcyen, prandaj monedhat e vitit 2017 dalin me stemën e Papës.

         Nuk është hera e parë, që një papë, nuk dëshiron të duket në monedhat e Vatikanit…

         Ndodhi në vitet ’70 me Papën Pali VI, i cili, në vitet e fundit të papnisë, kërkoi të mos pasqyrohej më në monedha. Atëherë ishin Lira vatikanase, ishte gjithçka më e thjeshtë e kërkesa e tij u pranua. Edhe në atë rast, monedhat e viteve të fundit të papnisë së Palit VI dolën me stemën papnore.

         Si koordinohet Qytet-shteti i Vatikanit me Bashkimin Evropian, për emetimin e monedhave?

         Vatikani është një nga të ashtuquajturit “mikro Shtete”, që kanë marrëveshje ndërkombëtare me Bashkimin Evropian, me Bashkimin monetar, ashtu si San Marino, Principata e Monakos, Andorra. Vatikani ka qenë i pari, që e ka nënshkruar këtë marrëveshje, prandaj, emetojmë monedha, sipas rregullave të caktuara. Monedhat e Vatikanit janë ndër më të mirat në botë si cilësi. Janë shumë të kërkuara nga koleksionistët. Monedhat e viteve të para të euros kanë më tepër vlerë: po flasim për vitet 2002, 2003, 2004. Kërkohen më shumë monedhat prej 2 eurosh, e cila çdo vit ka një tematikë të ndryshme. Janë shumë, shumë të kërkuara. Në veçanti, sot, ka më shumë vlerë ajo e vitit 2005 për Ditën Botërore të Rinisë në Këln të Gjermanisë.

         Si studiohen e si vendoset çfarë duhet stampuar në monedhat e Vatikanit?

         Me shumë kujdes, duhet të them, nga ana e Zyrës Filatelike dhe Numizmatike të Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit. Parapëlqejmë monedha në të njëjtën linjë me magjisterin e Atit të Shenjtë, duke u përpjekur të vemë në dukje, në monedhat 2 euroshe, çdo vit, mësimet e Papës dhe ngjarjet kryesore, si Dita Botërore e Rinisë, Dita Botërore e Paqes, 100-vjetori i Fatimës këtë vit, 1950-vjetori i martirizimit të shenjtorëve Pjetër e Pal. Pastaj, bazat e fesë, si Virtytet teologale, Virtytet kardinale, bazilikat papnore. Pra, përpiqemi të prekim të gjitha aspektet, arkitekturën, historinë, artin, e sigurisht aspektet fetare, mësimet dhe bazat mbi të cilat mbështetet Magjisteri i Papës.








All the contents on this site are copyrighted ©.