2017-03-06 14:52:00

Ushtrimet shpirtërore. Atë Michelini: të përvuajtur, për ta dëgjuar njëri - tjetrin


E dëgjoj zërin e Zotit, që flet përvujtërisht, apo shikoj llogarinë time, para Mbretërisë së Tij? Sot paradite, meditimi i parë i Ushtrimeve shpirtërore, predikuar Papës Françesku dhe Kuries Romake. Françeskani, atë Giulio Michelini, predikatar i Ushtrimeve të sivjetme, i nxiti 74 pjesëmarrësit t’i bëjnë vetes disa pyetje, lidhur me jetën e tyre shpirtërore. Në bazë të meditimeve të sotme, ishte  “dëshmimi i Pjetrit dhe udha e Jezusit drejt Jeruzalemit”, sipas Ungjillit të Mateut. Pasditja e djeshme iu kushtua hyrjes në Ushtrimet shpirtërore, që do të vijojnë  në Ariccia, deri të premten e ardhshme.

Gjatë Ushtrimeve shpirtërore kalohet nga lutja, tek liturgjia e orëve dhe tek dy meditime të përditshme, që nisin me interpretimin e teksteve, për të përfunduar me aspektet ekzistenciale. Sot, meditimi mbi Jezusin, që i merrte vendimet në lutje e nuk shkonte t’i shpjegonte ëndrrat e as nuk këshillohej me fallxhinjtë, siç bënte, për shembull, Aleksandri i Madh, sipas rrëfimit të historianit të njohur, Plutarku. Prandaj Atë Michellini i nxiti të pranishmit ta pyesin veten si i marrin vendimet e rëndësishme të jetës së tyre.

Pjetri dhe tradita rabinike: të dëgjojmë përvujtërisht!

Sot, pra, u fol kryesisht për Pjetrin dhe traditën rabinike mbi zërin e Zotit,  që dëgjohet përmes të vegjëlve. Prej këndej, u theksua domosdoshmëria e vëmendjes së përvuajtur, që të mund ta dëgjojmë këtë zë!

Ta ndjekësh Zotin, duke mbartur kryqin

“Të ndjekësh Jezusin, duke mbartur kryqin tënd” - theksoi frati françeskan gjatë reflektimit të fundit:

“E pyes veten nëse kam guxim të shkoj deri në fund të fundit në ndjekje të Jezusit, duke mos harruar se kjo do të thotë të mbartësh kryqin siç ka thënë Ai, e duke kujtuar Ngjalljen, gëzimin, por edhe provën:‘Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet e të më ndjekë’”.

Kjo, thënë përmbledhtas, ishte dita e parë e Ushtrimeve shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake.








All the contents on this site are copyrighted ©.