2017-03-06 15:37:00

Studime të reja për Papën Piu XII: shpëtoi dy të tretat e hebrenjve romakë


Njëqind vjet pas shugurimit ipeshkvnor të Eugenio Pacelli-t, studime e  dëshmi të reja hedhin dritë mbi rolin e Papës Piu XII në mbrojtje  të hebrenjve romakë gjatë pushtimit nazist. U fol për këtë më 2 mars,  gjatë kuvëndimit “Piu XII: legjenda e zezë po përfundon”, organizuar në Romë,  nga Komiteti Pacelli.

Mendohet se gati dy të tretat e dhjetëmijë hebrenjve, të pranishëm në Romë gjatë pushtimit nazist, u ndihmuan drejtpërdrejt, ose tërthorazi, nga Papa Piu XII dhe nga Kisha. Më se katër mijë u strehuan në 235 kuvendet e kryeqytetit italian e 160, në Vatikan dhe në selitë jashtëterritoriale, ndërsa një mijë e gjashtëqind u mbrojtën nga Delasm, organizatë asistence për emigrantët hebrenj, financuar fshehurazi edhe nga Kisha. Pasditen e 16 tetorit 1943, ditë tragjike e operacionit të spastrimit në Portico d’Ottavia, kur u internuan një mijë e gjashtëqind vetë, 245 hebrenj u liruan pas ndërmjetësimit të vendosur të Papës Pacelli. E jo vetëm kaq. Pak para 16 tetorit, shtatëqind të tjerë u ndihmuan nga Papa për t’u larguar nga shtëpitë e tyre, ndërsa para çlirimit, të panumërta qenë presionet për t’i liruar të burgosurit, drejtuar si ambasadës gjermane, ashtu edhe drejtpërdrejt kreut të Gestapos në Romë, Kappler. E shpjegon autori i studimeve, diakoni Domenico Oversteyns:

“Piu XII i ndihmoi hebrenjtë para 16 tetorit, duke i strehuar në 48 manastire, duke kërkuar lirimin e më pas, edhe duke hapur manastire të tjera për t’i ndihmuar. Bëri 198 ndërhyrje për t’i liruar ose për t’i ndihmuar hebrenjtë e arrestuar e të internuar. Prej tyre, u liruan vetëm 60”.

Këto të dhëna, në përditësim të vazhdueshëm, e çmontojnë progresivisht “legjendën e zezë” për Papën Pacelli. Që para se të vdiste, në vitin 1958, propaganda sovjetike krijoi figurën e një Pape “që heshti”, për të mos thënë se me këtë heshtje, u bë bashkëfajtor me Hitlerin, pavarësisht nga dënimi i nazizmit dhe thirrjet e vazhdueshme për paqen. Komenti i kardinalit Dominique Mambertì, prefekt i Gjykatës së Lartë të Senjaturës Apostolike:

“Ishte Papa, që i priu Kishës në një periudhë shumë të ndërlikuar e që dha kontribut shumë të shquar për paqen ndërkombëtare, duke e udhëhequr Kishën drejt kohëve moderne. Figura e vërtetë e Papës është shumë më e ndryshme, nga ajo, që deshi ta paraqesë “legjendea e zezë”.

Për Papën Eugenio Pacelli është në vijim çështja e Lumnimit, e hapur nga Pali VI gjatë Koncilit II të Vatikanit, ndërsa Benedikti XVI ia njohu virtytet heroike. Të dëgjojmë postulatorin e çështjes, atin jezuit Anton Witwer:

“Janë deklaruar virtytet e tij heroike, prej këndej, ai është i Nderuar. Për Lumnimin mungon vetëm një mrekulli. E për këtë duhet t’i lutemi Piut XII. Është vërtet figurë e jashtëzakonshme, jo vetëm si Papë, por edhe si njeri, që e jetoi thellësisht dashurinë për Zotin e për të afërmin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.