2017-03-06 16:58:00

Irak, 45 mijë të shpërngulur nga Mosuli perëndimor


Në Irak, forcat qeveritare fitojnë terren në ofensivën për çlirimin e Mosulit perëndimor nga kthetrat e Isisit. Organizata Botërore për Emigracionin flet për mëse 45 mijë civilë të ikur. Patriarku kaldeas i Bagdadit, Louis Raphael I Sako, dëshmon për kushtet e tyre të vështira në kampet e ngritura jashtë qytetit:

Është situatë tragjike, sepse poshtë tendave, në shkretëtirë, nuk ka dritë, elektricitet, mungon edhe uji, ushqimi e të gjitha kushtet për një jetë dinjitoze.  Ata presin gjithçka nga të tjerët e ndihmat mungojnë. Pastaj, tani është akoma dimër e në shkretëtirë bën më tepër ftohtë, sidomos gjatë natës. Këta njerëz kanë frikë se nuk do të kthehen më në shtëpitë e tyre, kanë frikë nga hakmarrja… Është gjendje vërtet e keqe, gjendje pritjeje, pa e ditur se kur e si do të përfundojë kjo luftë.

Një pjesë e të shpërngulurve të Mosulit perëndimor gjeti strehë gjatë ditëve të kaluara,  në pjesën lindore të qytetit, të çliruar tashmë. Ndërkaq, i gjithë Iraku pret fundin e Isisit e kthimin e paqes, apo jo?

Unë mendoj se nevojitet kthimi i të gjithëve kah Zoti: kthimi në rrugën e paqe, të faljes… të largohemi nga hakmarrja, të rindërtojmë vendin, të mendojmë për të mirën e përbashkët. Ekziston e ardhmja, por nuk është magjike: duhet ta ndërtojmë së bashku. Unë jam në Bagdad tani e mendoj se ka diçka, që lëviz për mirë. Të premten e kaluar, shumë të rinj erdhën nga Najaf – janë shiitë – për të marrë pjesë në Udhën e Kryqit bashkë me ne e, kjo është gjë e re! Pastaj, kemi aty-këtu shenja shprese. Shpresojmë që pas çlirimit të Mosulit, të kemi pajtim e bashkim, mbi bazën e atdheut të njëjtë. Ne të gjithë jemi një familje njerëzore, feja është diçka personale, feja nuk duhet të ngrejë pengesa ndërmjet nesh. Pra, ka diçka që na bashkon: atdheu, por edhe natyra njerëzore. E gjithë kjo na ndihmon të shkohim drejt së ardhmes…








All the contents on this site are copyrighted ©.