2017-03-05 14:11:00

Indonezi: pakicat fetare gjithnjë më të rrezikuara nga dhuna


Alarm në Indonezi për pakicat fetare dhe etnike. Gjatë vitit 2016 dhuna dhe shpërdorimet u shtuan ndjeshëm. E pohon një Raport kushtuar lirisë fetare në vend, realizuar e botuar nga “Wahid Institut”, qendër studimesh, themeluar në Xhakartë, në vitin 2004, në të cilin bëjnë pjesë studiues myslimanë. Ndërmjet pakicave, më të sulmuarat janë ato të krishtera.

Indonezia është vendi më i populluar në Botë me shumicë myslimane, e cila përbën mbi 86% të popullsisë. Janë të pranishëm e edhe të njohur nga Kushtetuta, të krishterët, protestantë e katolikë, hinduistët, budistët  dhe konfucianët. Por, për këto pakica, viti 2016 ishte vërtet i vështirë. Diskriminimet, dhuna, atentatet, ishin në rritje të ndjeshme, në krahasim me vitin 2015. Më se 204, episodet e rënda e 313, aktet e shpërdorimit mbi bashkësitë fetare. Autorë të këtyre aksioneve janë grupet ekstremiste, e edhe, ndonëse më pak të rënda, por njëlloj të palejueshme, aparatet shtetërore dhe organizatat private. Zonat më të goditura: Java perëndimore dhe provinca e Aceh, në ishullin Sumatra. Një situatë e tillë nuk përkon aspak me atmosferën e respektit e të tolerancës paqësore, në të cilën  jeton përgjithësisht popullsia indoneziane. Po sjellim, në mikrofonin tonë, dëshminë e misionarit saverian në Xhakartë, atë Fernando Abis:

Përgjigje: - Në këtë çast në territorin tonë jemi në paqe, nuk kemi vështirësi të mëdha. Por nuk mund të mohohet se këtu mbretëron frika, posaçërisht ndërmjet pakicave etnike, si kinezët. Gjithesi duhet thënë se qeveria po punon mirë: ushtarakët dhe policia po marrin masa parandaluese shumë të frytshme.

Pyetje: - Nga kush vijnë kërcënimet?

Përgjigje: - Eshtë një grup, i cili quhet “Fronti i mbrojtjes së Islamit”, që do të dëshironte t’ua impononte të gjithëve ligjin islamik e edhe që grupet e tjera të mos ndjeheshin fare, aq më pak, në role publike, siç është rasti i guvernatorit të Xhakartës, protestant kinez. Duhet thënë edhe se kjo lëvizje financohet nga grupe, që kanë interesa politike.

Pyetje: - Mund të na kujtoni ndonjë episod?

Përgjigje: - Po, po kujtoj një atentat në një nga kishat e ishullit Celebes; pastaj, pak ditë më parë, si sinjal kërcënimi, ndodhi një shpërthim para njërës nga ndërtesat publike. Ndërkaq duhet kujtuar se këtu  ka edhe prijës të Islamit të moderuar. Krerët fetarë të organizatave të ndryshme islamike  janë shumë të kujdesshëm, nuk e mbështesin fanatizmin dhe e kuptojnë mirë se  ky është rrënimi i vetë Islamit.








All the contents on this site are copyrighted ©.