2017-03-03 12:23:00

Papa: agjërim i vërtetë është të ndihmosh të tjerët, jo ryshfeteve të kotësisë


Agjërim i vërtetë është ta ndihmosh të afërmin, ndërsa agjërimi i rremë, përzien devocionin me punë të ndyra e me ryshfete kotësie: kështu u shpreh Papa gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. 

Leximet e ditës flasin për agjërimin - domethënë - shpjegoi Papa - për pendesën, që grishemi ta bëjmë në këtë Kohë Kreshmësh, për t’iu afruar sa më shumë Zotit. Zotit i pëlqen “zemra e penduar”, thotë Psalmi, “zemra që e ndjen se është mëkatare, që e di se ka mëkatuar”. Në Leximin e parë, shkëputur nga Libri i Izaisë Profet, Zoti e qorton devocionin e rremë të hipokritëve, që bëjnë sikur agjërojnë, ndërsa kujdesen vetëm për punët e  veta, i shtypin punëtorët e grinden me ta, duke i goditur me grushtet e tyre të ndyra. Nga njëra anë bëjnë pendesë, e nga ana tjetër, padrejtësi të poshtra e punë të padrejta. Ndërsa Zoti kërkon agjërim të vërtetë, plot vëmendje ndaj të afërmit:

“Tjetri është agjërim hipokrit – këtë fjalë e përdor shumë Jezusi – agjërim për sy e faqe, për t’u dukur i drejtë, ndërsa në të njëjtën kohë, ata që agjërojnë janë të zhytur në padrejtësi, bëjnë të nëntëdhjetë e nëntat,  shfrytëzojnë njerëzit e nuk duan t’ia dinë për të drejtin. ‘Po unë jam bujar, do të jap një lëmoshë të mirë për Kishën’ - ‘Pa më thuaj, a ua paguan  hakun shërbëtorëve të tu? Nëpunësve të tu? Atyre, që punojnë në të zezë? I paguan sipas interesit tënd, apo sipas ligjit, që të mund t’u japin të hanë fëmijëve të tyre?”.

Papa Françesku tregoi një ngjarje, që i pati ndodhur menjëherë pas Luftës II Botërore, atë Pedro Arrupes, kur ishte misionar në Japoni. Një  afarist i pasur i bëri një dhuratë për veprimtarinë e tij ungjillëzuese, por me të ishin një fotograf e edhe një gazetar. Në zarf  kishte vetëm 10 dollarë:

“Edhe ne bëjmë të njëjtën gjë, kur nuk i paguajmë si duhet njerëzit tanë. Ne marrim ryshfet nga pendesët tona, nga gjestet tona të lutjes, nga agjërimi, nga lëmosha. E kjo quhet hipokrizi! Prandaj Jezusi thotë: ‘Kur të luteni, bëjeni këtë në fshehtësi; kur të jepni lëmoshë, mos u bini burive e kur të agjëroni, mos u shtini sikur jeni të trishtuar’. Është njëlloj si të thuash: ‘Ju lutem, kur bëni një vepër të mirë, mos merrni ryshfet nga kjo vepër e mirë, që  është vetëm për Atin’”.

Papa citoi Izainë Profet, atje ku Zoti u kujton hipokritëve cili është agjërimi i vërtetë. Fjalë, që duken sikur janë thënë për ditët tona:

“Vallë, a s’është agjërimi që unë zgjodha t’i këputësh verigat e padrejtësisë, t’i zgjidhësh leqet e përdhunës, t’i lëshosh të lirë të ndrydhurit e të copëtosh çdo zgjedhë? A s’është ta ndash bukën me të uriturin, t’i strehosh në shtëpinë tënde skamnorët e të pastrehët? Ta shohësh të zhveshurin e ta veshësh e të mos e përbuzësh farefisin tënd?”.

T’i mendojmë këto fjalë, t’i mendojmë në zemrën tonë, të mendojmë si agjërojmë, si lutemi, si e japim lëmoshën... E do të na ndihmojë edhe të mendojmë çfarë ndjen një njeri pas darkës, që e pagoi 200 euro, për shembull, e duke u  kthyer në shtëpi, sheh një të uritur, bën sikur s’e pa e vijon qetë qetë udhën. Na bën mirë ta mendojmë këtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.