2017-03-03 11:07:00

Më 3 mars kalendari përkujton shën Marinin e Cezaresë e shën Asterin, martirë


“Marin” do të thotë “njeri i detit” e, në kalendarin kishtar, gjejmë 14 shenjtorë, të cilët në mënyra nga më të ndryshmet, e bënë të njohur këtë emër: disa duke u martirizuar për dashuri të Krishtit, të tjerë me një jetë rregulltare shembullore. Nga të 14-tët sot po kujtojmë dy, duke filluar nga Shën Marini i Riminit, eremit që jetoi në shekullin IV. Pajtori i Riminit, që festohet me 3 shtator, qe gurgdhendës i krishterë, i ardhur në Ariminun (sot Rimini) së bashku me shokun e udhës, Leonin (nga i cili vjen emri Rocca), për të punuar në port, në kohën e perandorit Dioklecian. Konsiderohet si themelues i shtetit të vogël të San Marinos, të cilit i dha edhe emrin.

Ndërsa Shën Marini, që përkujtohet sot, është më popullori. Historinë e martirizimit të tij na e tregon historiani, Shën Euzebi i Cezaresë. “Asokohe të gjitha kishat gëzonin paqe”...me këto fjalë e fillon Euzebi rrëfimin mbi martirizimin e shën Marinit, oficer i ri i ushtrisë perandorake, në Cezare të Palestinës. Në sajë të aftësive të tij, Marini u emërua në postin e lartë të centurionit, të cilin e lakmonin edhe shumë të tjerë.

E paditën, prandaj, si të krishterë, sepse nuk kishte pranuar të flijonte në nder të perandorit. Kur u pyet para gjykatës, ai pohoi, pa iu dridhur zëri: “Po, jam i krishterë!”. Gjykatësi i dha tri orë kohë për t’u menduar. Si doli nga gjykata, Marini takoi ipeshkvin Teotekno, i cili e mori për dore dhe e çoi në Kishë, ku i tregoi me gisht shpatën që i varej në ijë, dhe Ungjillin në elter. Ai zgjodhi pa ngurrim Ungjillin. E ipeshkvi i tha: “Të jesh pra i Zotit, me Zotin, i fortë në hir. Vijo rrugën që zgjodhe e shko në paqe!”. E ai shkoi. Tri orët kishin kaluar. I ulur rishtas në bankën e të akuzuarit, ripohoi edhe më me bindje e zjarr fenë e tij në Krishtin. E ata nuk pritën gjatë, por e mbytën Marinin aty për aty.

Në martirizimin e oficerit të ri ishte i pranishëm senatori Asteri, i cili me një guxim të pashoq, e mori mbi shpatulla trupin e gjakosur të martirit, për ta varrosur me nderim, duke e ditur mirë se ç’rrezik e priste. Pësoi edhe ai të njëjtin fat. Prandaj edhe përkujtohet sot, në të njëjtën ditë me shën Marinin, martir!.








All the contents on this site are copyrighted ©.