2017-03-02 15:35:00

Papa, klerit të Romës: të japim dëshmi të besueshme


“Nëse ne meshtarët nuk kemi një fe të aftë, që të lindë fenë në të tjerët, nëse nuk kemi sjellje prej ati, mund të bëjmë keq, shumë keq, por nëse feja thellohet, bën shumë të mira”. Këtë nënvizoi sot Papa Françesku në takimin tradicional me famullitarët e Romës, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Reflektimi i Atit të Shenjtë u përqendrua pikërisht tek “Përparimi në fe, në jetën meshtarake”.

Papa Françesku, i pritur nga vikari i dioqezës së Romës, kardinali Agostino Vallini, sapo mbërriti në bazilikë, rrëfeu rreth 12 meshtarë. Pastaj nuk e lexoi të gjithë tekstin prej 11 faqesh, por nënvizoi disa pjesë të tij, duke e lënë për meditimin kreshmor të meshtarëve. Para se të largohej, u la atyre kopjen, së bashku me një libër, titulluar: “Mos kini frikë të falni”. Në të përshkruhet historia e një rrëfyesi argjentinas 90-vjeçar, atë Luis Dri: “lexohet si roman – tha Papa – por është histori e vërtetë. Mund të na ndihmojë të forcohemi në fe”.

Nëse feja nuk rritet, mbetet e papjekur

Misioni i meshtarëve, nënvizoi Ati i Shenjtë, është t’i përforcojnë të tjerët në fenë e krishterë. Por edhe ata vetë duhet të fitojnë gjithnjë e më tepër maturi në fe, për të qenë në gjendje t’i ndihmojnë besimtarët:

“Nëse feja nuk rritet, mbetet e papjekur e kështu, kemi jetë njerëzore e jetë meshtarake, që mbeten në gjysëm të rrugës… e ne meshtarët, nëse nuk kemi një fe të pjekur, të aftë të nxisë fenë e të tjerëve – një lloj atësie, apo jo? – mund të bëjmë keq. E shumë keq! Por nëse feja shtohet, bën shumë mirë: shumë mirë”.

Ta gjejnë forcën në “kujtesën” e Kishës

Ky shtim i fesë ndodh vetëm kur takohemi me Zotin. Papa i ftoi të pranishmit ta gjejnë forcën në “kujtesën” e Kishës, në etërit e saj, por edhe në rrënjët familjare. Kujtoi një episod personal, kur gjatë ushtrimeve shpirtërore, pati vështirësi në kuptimin e një meditimi për vdekjen, për gjykimin e mbramë:

“Më erdhi ndërmend një shkrim, që e kishte gjyshja në komodin: ‘Kij kujdes se Zoti të sheh. Mendo se do të vdesësh e nuk e di se kur’. E në atë çast, gjithçka m’u bë e qartë e vijova lutjen. Qenë rrënjët ato, që më hapën dyert drejt rrugëzgjidhjes. I krishteri përparon gjithnjë, duke u nisur nga rrënjët. Nuk i harron rrënjët e veta”.

Kemi shpresën, që na çon drejt horizontit

Shtylla e dytë, mbi të cilën Papa i ftoi famullitarët të mbështeten, është shpresa. Feja jonë, u tha, nuk është fe para ndonjë muri: kemi shpresën, që na çon drejt horizontit. E rekomandoi shoshitjen e shqyrtimin, që e konkretizon fenë e përvijon udhën e formimit e të maturisë në besimin e krishterë:

“Përparimi në fe bëhet përmes takimeve me Zotin përgjatë jetës. Këto takime ruhen si thesar në kujtesën tonë e janë feja jonë e gjallë, në historinë e shëlbimit personal”.

“Zemra misionare” shkon drejt të varfërve e të vegjëlve

Ati i Shenjtë përdori krahasimin me një lojtar basketbolli, që e mban një këmbë të ngulur në tokë e rrotullohet rreth saj, para se të vendosë si duhet të veprojë në fushë. Pikërisht ajo këmbë e ngulur në tokë, nënvizoi Papa, për ne besimtarët, është Kryqi i Krishtit. Françesku i ftoi të gjithë të lexojnë enciklikën “Evangelii Gaudium”, ku sqarohet se nga ai Kryq merr hov “zemra misionare”, që shkon drejt të varfërve, të vegjëlve, pa u trembur se mund të ndotet nga balta e rrugës:

“Të besosh se aty është Krishti, të gjesh mënyrën më të mirë për të bërë një hap të vogël drejt Zotit, për të mirën e atij njeriu, do të thotë të përparosh në fe. Njëlloj si kur lëvdojmë Zotin është përparim në fe e, kur dëshirojmë më shumë, është përparim në fe: nuk është akt bamirësie, është përparim në fe”.

Feja e Simon  Pjetrit

E Ati i Shenjtë përdori si ikonë të përparimit në fe, figurën e Simon Pjetrit. Feja e Simon Pjetrit është më e pakët se ajo e shumë prej besimtarëve të thjeshtë në gjirin e popullit të Zotit. Ka madje edhe paganë, si centurioni, që kanë fe më të thellë, kur i përgjërohen Hyjit për shërimin e një të sëmuri të familjes. Feja e Simon Pjetrit është më e pakët se ajo e Marisë Madalenë, e edhe se e Gjonit, vijoi Papa. Ka çaste, që feja e Simon Pjetrit arrin kulme madhështore, si për shembull, kur thotë se Jezusi është Mesia, por këto çaste pasohen gjithnjë nga gabimet, brishtësia, hutimi, si ai, kur dëshiron ta largojë Zotin nga kryqi, ose kur do ta mbrojë Atë me shpatë. Për të mos folur për mohimin e trifishtë të Jezusit. E megjithatë, theksoi Ati i Shenjtë, me këtë fe, Simon Pjetri ka për mision t’i përforcojë dhe t’i konsolidojë vëllezërit e vet:

“Ndoshta tundimi më i madh i djallit ishte ky: ta ngulte në kokën e Simon Pjetrit idenë se nuk ishte i denjë për të qenë mik me Jezusin, sepse e kishte tradhtuar. Pesha e mëkateve tona, nganjëherë, na largon nga Zoti: ‘Por si tani, unë, me gjithë këto që kam bërë…?’. Por Zoti është besnik, gjithnjë besnik e gjithnjë na bën të ecim përpara”.

Me gjithë tundimet, Hyji na dikon sigurinë se Ai është aty, pranë nesh e na fal

“Tundimi është gjithnjë i pranishëm në jetën e Simon Pjetrit, e tundimi është gjithnjë pas dere edhe në jetën tonë. Për më tepër, pa tundim, nuk ecim përpara në fe. Në lutjen e Atynës kërkojmë hirin të mos biem në tundim, pra, të mos tundohemi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.