Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë natën e Kuvendit të Lezhës.
Pra, pikërisht si sot, më 2 mars 1444 në Kishës katedrale të Shën Kollit në qytetin
e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja
e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë
periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare.
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit
nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend
të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht,
realizimi i bashkimit të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga
ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij.
Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të
rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja
ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të
përgjithshëm të Lidhjes Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak.
Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe
drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman.
Po t'i referohesh dokumentacionit historik kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt
rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut.
Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën
e principatave dhe në këtë mënyrë shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja
e barazisë.
Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike
të Skënderbeut. Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit
venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me
të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë në Evropën perëndimore. Besëlidhja
e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës.
All the contents on this site are copyrighted ©. |