2017-03-01 13:03:00

Papa: Kreshmët janë shpresë, por nuk shkohet në parriz me karrocë!


Kreshmët, që filluan sot, e Mërkura e Përhime, janë kohë pendese, por edhe shprese. Kohë që na shoqëron drejt Pashkëve, drejt Ngjalljes së Zotit,  i cili e shpëtoi njeriun nga skllavëria e mëkatit. E pohoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, të ndriçuar nga dielli pranveror, duke u kujtuar besimtarëve fjalët, që i thoshte Dom Bosko: “Nuk shkohet në Parriz me karrocë!”.

Kreshmët, udhë drejt Dritës së Zoti të Ngjallur

Kreshmët janë “udhë e shpresës”, dyzet ditë që marrin dritë nga misteri i Pashkëve, periudhë kah e cila drejtohen. Françesku e paraqiti këtë kohë përgatitjeje për Pashkë, si udhë kah Zoti i Ngjallur, që është Dritë e na thërret të dalim nga errësira:

“Kreshmët janë kohë pendese, e edhe kohë flijimesh, parë jo si qëllim në vetvete, por si udhë, që të ndihmon të rilindësh përsëri ‘nga lart’, nga dashuria e Zotit (krh Gjn 3,3). Ja pra pse Kreshmët, për vetë natyrën e tyre, janë “kohë shprese”.

Heksodi, dalje nga skllavëria drejt lirisë e shpëtimit

Papa kujtoi Librin e Daljes, që flet për daljen e izraelitëve nga Egjipti, nga kushtet e skllavërisë, si popull i nënshtruar, i shtrënguar të bëjë punë të detyruara. Dalja drejt Tokës së lirisë, të cilën hebrenjtë do ta jetonin duke përshkuar shkretëtirën, të prirë nga Moisiu, i ngarkuar nga vetë Zoti, do të zgjaste pikërisht 40 vjet. E gjatë këtyre 40 vjetëve Zoti do t’u jepte  atyre Ligjin, për t’i edukuar që ta donin Atë e të duheshin njëri me tjetrin, si vëllezër. 40 vjet - shpjegoi Papa – është koha e jetës së një breznie, e cila, pavarësisht nga tundimi për t’u rikthyer përsëri në Egjipt, arrin, më në fund të shkelë në Tokën e Premtuar:

“E gjithë kjo udhë u bë me shpresë: me shpresën për të arritur në Tokën e Premtuar, e pikërisht në këtë kuptim është ‘dalje’, dalje nga skllavëria, në liri. Çdo hap, çdo pikë djerse, çdo provë, çdo rrëzim, çdo ringritje në këmbë, gjithçka merr kuptim vetëm brenda planit të shëlbimit të Zotit, që dëshiron për popullin e vet jetën, jo vdekjen; gëzimin, jo dhimbjen”.

Nuk shkohet në parriz me karrocë

Pashkët e Jezusit janë dalja e Tij - vijoi Papa - një dalje, me të cilën Zoti hap udhën, për të arritur në jetën e plotë, të amshuar, të lume. Dhe e hap, duke arritur deri në fund të saj, deri tek vdekja e kryqit, e gjaku i Tij i shpëton njerëzit  “nga skllavëria e mëkatit”:

“Po kjo nuk do të thotë se Ai bëri gjithçka e ne nuk duhet të bëjmë asgjë, se Ai kaloi përmes mundimeve të kryqit, e ne do të shkojmë në parriz me karrocë. Nuk është kështu! Shpëtimi ynë është sigurisht dhurata e Tij, por, me që është histori dashurie, kërkon edhe ‘po’-në tonë e pjesëmarrjen  tonë, siç e dëshmon Nëna jonë, Maria e, pas saj, edhe të gjithë shenjtorët”.

Pendesa është udhë, që duhet të vijojë gjithnjë

Kjo është dinamika e Kohës së Kreshmëve, dalja e Krishtit, që u hap njerëzve udhën e shkretëtirës, pas Tij:

“Ai u tundua për ne dhe e mundi Tunduesin për ne, por edhe ne duhet t’u bëjmë ballë tundimeve e të fitojmë mbi ta. Ai na jep ujin e gjallë të Shpirtit të Tij, e ne na takon ta marrim këtë ujë nga burimi e ta pijmë në Sakramente, në lutje, në adhurim: Ai është drita, që ngadhënjen mbi errësirën, e ne na kërkohet ta ushqejmë flakëzën, që na u besua ditën e Pagëzimit tonë”.

Kreshmët janë, pra, “shenjë sakramentore e pendesës, e kthesës sonë, e udhës, që na çon nga skllavëria në liri, udhë, që nuk mbaron kurrë - përfundoi Papa - në të cilën lind shpresa që, e farkëtuar nga provat, nga tundimet, iluzionet, mirazhet, forcohet sipas modelit të shpresës së Virgjërës Mari, që në mes të errësirës së mundimeve dhe të vdekjes së Birit të saj, vijoi të besojë e të shpresojë në ngjalljen e Tij, në fitoren e plotë të dashurisë së Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.