2017-03-01 16:21:00

Imzot Prennushi: Ngadhnjyesit të Dekës


Imzot Prennushi: Ngadhnjyesit të Dekës

Ngadhnjyesit të Dekës
Me dy krahë arit u pershkue nji Êjell
e preku drandofillet, çilë porsa,
e u tha: “Tash hapnie gjethin t’uej kah dielli
e veshniu n’njyme t’gjalla e t’erës s’mirë
perhapnie gjith visarin”.
E kaloi Êjlli prej njaj dege m’tjetren,
e me krahë t’vet çerdhet e reja preku,
e u tha: “Sa jeni zogj, t’aguemen dielli,
keni per t’kndue vallet qi u don zêmra,
per Krishtin Mbret të Njallun.”
E n’at pershkim agimit desht t’i lête
nji dritë krejt t’ ré e valle qi ishin qielle…
Kumbonët e të gjitha kishve aj i preku,
e u tha; “Largonie dhimben, qi pa zâ
u la; sot brohorija.
prej jush t’ shperthejë, njashtû si u a lypë natyra”.
Mandej flutrim kthei Êjlli prap kah qiella,
E aty punoi n’kunoren e ngadhnjimit,
Tue pritë, nder mija çetash t’ Êjve tjerë,
Zotin e vet të Njallun.
E agon, qe dita e re, shperthen hareja,
lule, erë t’kandshme, harmonì qiellore,
gjithkah veç valle zogjsh e ushtimë kumbone:
me gjith lumín e vet, qe Krishti njallet
e mbushë zêmrat me gzime.

Primula Veris(pseudonim i Imzot Vinçenc Prennushit)
Marrë nga revista ‘Zâni i Shna Ndout”.








All the contents on this site are copyrighted ©.