2017-02-28 13:54:00

Papa: të zgjedhim Zotin që dhuron gëzim, jo pasuritë që të trishtojnë


Të ndjekim Zotin, që na dhuron gjithçka me plotni e të mos kërkojmë pasuritë. Këtë theksoi Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në  Shën Martë. Duke komentuar Ungjillin e sotëm, Papa vuri theksin mbi “plotninë” që na dhuron Zoti: plotni e “asgjësuar”, e cila arrin kulmin në Kryq.   

“Nuk mund t’u shërbejmë dy zotërinjve: ose i shërbejmë Zotit, ose pasurive". Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, natën e së Mërkurës së Përhime, Françesku nënvizoi se - në këto ditë para Kreshmëve - Kisha na nxit të reflektojmë për lidhjen ndërmjet Zotit e pasurive. Kujtoi, prandaj, takimin e djaloshit të pasur, që donte ta ndiqte Jezusin, por që pastaj, nga që ishte tejet i kamur, zgjodhi pasuritë.

Zoti na e dhuron plotësisht  gjithë vetveten

Komenti i Jezusit - vërejti Papa - i tremb paksa dishepujt:

“Sa vështirë e ka i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Qiejve. Është shumë më e lehtë  të përshkohet deveja nëpër vrimën e gjilpërës”. Sot - vijoi Françesku - Ungjilli sipas Shën Markut ndalet tek Pjetri, i cili e pyet Zotin ç’do të bëhet me ata, që lanë gjithçka. Të duket gati- gati sikur Pjetri po i kërkonte llogari Zotit:

“Nuk dinte ç’të thoshte: ‘Po, ky shkoi në punë të vet, po ne?’. Përgjigjja e Jezusit është e qartë: ‘S’mund të ketë asnjë njeri që lë gjithçka, pa marrë gjithçka. Do të merrni, pra, gjithçka. ‘E po ja, ne i lamë të gjitha’. ‘Edhe do t’i merrni të gjitha. Me atë masë të rrëmbushtë me të cilën Zoti i jep dhuratat e Tij”.

Do t’i merrni të gjitha. Nuk ka asnjë njeri që të ketë lënë  për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babain, ose fëmijët, ose arat e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime ‑ njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara ‑ e në botën e ardhshme, jetën e pasosur. Gjithçka! Zoti nuk di të japë më pak se gjithçka. Kur dhuron ndonjë gjë, dhuron vetveten, që është gjithçka.

Gjithsesi - shtoi Papa - është një fjalë në këtë fragment ungjillor, që të bën të reflektosh: “Merr tani, në këtë kohë, njëqind herë më shumë shtëpi, vëllezër,  njëherësh me persekutimet”.

Dhurata e Zotit është plotni e asgjësuar, stili i të krishterit, Kryqi

Kjo - shtoi Papa - do të thotë të mendosh ndryshe e edhe të veprosh ndryshe. Jezusi jep vetveten, gjithë vetveten, sepse plotnia, plotnia e Zotit është plotni e asgjësuar mbi Kryq:

“Kjo është dhurata e Zotit: plotnia e asgjësusar. E ky, edhe stili i të krishterit: të kërkojë plotninë, ta marrë plotninë e asgjësuar e ta ndjekë deri në fund këtë rrugë. Nuk është e lehtë, nuk është e lehtë kjo”.

E cila është shenja, që na tregon se po ecim në këtë rrugë, duke dhënë gjithçka e duke marrë gjithçka? E dëgjuam në Leximin e parë: “Me zemër të gëzueshme jepi lavdi Zotit. Fytyra jote të shndrisë nga gëzimi; plot me galdim kushtoja të dhjetat. Dhuroji të Tejetlartit, ashtu si të dhuroi, me sy të kënaqur, sipas kamjes sate”. Sy i kënaqur, fytyrë gazmore, hare... Kjo, shenja që tregon se ne po ecim në këtë rrugë, në rrugën ku merr gjithçka, ose asgjë. Në rrugën e plotnisë së asgjësuar, aty është edhe gëzimi.

Shën Albert Hurtado, shembull i gëzimit në Zotin, ndër mundime

Djaloshi i pasur, ndërkaq - vijoi Papa - u nxi në fytyrë e shkoi në punë të vet, i pushtuar nga trishtimi. Nuk qe i zoti ta pranonte këtë plotni të asgjësuar - kujtoi - që Shenjtorët, e edhe vetë Pjetri, e pranuan. E ndonëse ndërmjet provash të panumërta, ndërmjet vështirësish, fytyra e tyre ishte gjithë gëzim, syri i kënaqur e zemra plot me hare. Kjo - ritheksoi Papa - është shenja. Françesku e përfundoi homelinë, duke kujtuar Shenjtin kilian Alberto Hurtado:

“Punonte gjithnjë duke kapërcyer vështirësi të panumërta. Punonte për të varfërit…Ishte njeri që bëri shumë udhë në këtë vend... Bamirësi, për t’i ndihmuar të varfërit...në mes persekutimesh e vuajtjesh. E kur ishte aty, i persekutuar, në mes të vuajtjeve,  kishte në gojë vetëm këto fjalë: ‘Contento, Señor, Contento’; ‘I lumtur, o Zot, i lumtur!’. Zoti na dhashtë hirin që ai të na mësojë të ecim në këtë rrugë, pak të vështirë, të gjithçkasë ose të asgjësë, në plotninë e asgjësuar të Jezu Krishtit e të themi gjithnjë, posaçërisht në vështirësi e mundime: ‘Jam i kënaqur, o Zot, i kënaqur’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.